Botë

I dërguari i ri i paqes pritet armiqësisht nga liderët serbë të Bosnjës

Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, ka thënë se përfaqësuesi i ri i lartë nuk është i mirëseardhur në Bosnjë-Hercegovinë. “Nuk jeni zgjedhur si përfaqësues i lartë. Republika Serbe... nuk do ta respektojë atë që ju bëni”, ka thënë ai

Politikani gjerman, Christian Schmidt, ka marrë zyrtarisht të hënën detyrën e mbikëqyrësit ndërkombëtar të paqes në Bosnjë-Hercegovinë, pas pritjes armiqësore nga liderët serbë të vendit, të cilët kërkojnë që të shpërbëhet tërësisht Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR).

Schmidt, ish-ministër në Qeverinë gjermane, ka zëvendësuar në këtë post diplomatin austriak, Valentin Inzko, 12 vjet pas themelimit të postit të përfaqësuesit të lartë në Bosnjë, zyra e të cilit e mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së Paqes të arritur më 1995 në Dayton.

“Është nder për mua që ta marr këtë përgjegjësi dhe t’i shërbej popullit të Bosnjë-Hercegovinës”, ka thënë Schmidt gjatë ceremonisë së pranimit të detyrës në kryeqytetin Sarajevë.

Mirëpo Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, ka thënë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, se Schmidt nuk është i mirëseardhur.

“Nuk jeni zgjedhur si përfaqësues i lartë. Republika Serbe... nuk do ta respektojë atë që ju bëni”, ka thënë ai.

OHR-ja është themeluar si pjesë e marrëveshjeve paqësore të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i dhanë fund luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë, me qëllim të mbikëqyrjes së procesit të rindërtimit të vendit që ishte shkatërruar nga konflikti që shkaktoi më se 100 mijë të vdekur.

Miratimi i emërimit të Schmidtit në fundmja nga Bordi i Këshillit për Zbatimin e Paqes, një trup ky që grumbullon përfaqësues të organizatave dhe qeverive të mëdha botërore, është hedhur poshtë nga serbët e Bosnjës dhe nga aleatja e tyre, Rusia, ka shkruar Reuters.

Në fund të qershorit, Rusia dhe Kina kanë dështuar në përpjekjen e tyre për ta nxitur Këshillin e Sigurimit të OKB-së për t’ia shkurtuar OHR-së disa kompetenca dhe për ta mbyllur atë. Ndërkaq, liderët serbë të vendit kanë kërkuar prej kohësh mbylljen e kësaj zyre.

Javën e shkuar, Parlamenti në Republikën Serbe të Bosnjës të dominuar nga popullsia serbe kanë hedhur poshtë vendimin e pararendësit të Schmidtit për ta cilësuar krim të dënueshëm mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, duke kërcënuar me shpërbërjen e Bosnjës dhe duke i miratuar dy dekrete lidhur me këtë çështje.

Serbët në Bosnjë dhe ata në Serbi mohojnë se gjenocidi ka ndodhur më 1995 në enklavën e Srebrenicës nën mbrojtjen e OKB-së, kur më shumë se 8 mijë burra dhe djelmosha myslimanë janë vrarë nga ana e forcave serbe të Bosnjës, në kundërshtim të vendimit nga dy gjykata ndërkombëtare.

Të dërguarit ndërkombëtarë, kompetencat e të cilëve janë të përcaktuara me marrëveshjen e paqes në Dayton, mund të zbatojnë ligje dhe të shkarkojnë zyrtarë.