Kanë hyrë në fuqi tarifat “shpërthyese” të Donald Trumpit ndaj shteteve që kanë tarifa më të mëdha ndaj produkteve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kina, si eksportuesja më e madhe në botë, është shteti më i goditur me 104 për qind tarifë.

Në këtë listë janë edhe 60 shtetet që kanë tarifat më të larta ndaj SHBA-së. Tarifat ndaj tyre variojnë nga 11 për qind deri në 50 për qind.

Tarifa shtesë ndaj Kinës u vendos pasi Pekini nuk iu përgjigj ultimatumit të Trumpit për të negociuar masën paraprake.

Trumpi ka thënë se tarifat janë vitale për vizionin ekonomik, por ekonomistët kanë paralajmëruar se mund të nxitet luftë tregtare.

Indeksi i aksioneve “S&P” përjetoi rënie të madhe të martën, me 20 për qind nën vlerën e saj maksimale të fundit. Kompanitë në të kanë pësuar rënie prej 5.8 trilionë dollarëve në vlerë të tregut që kur Trumpi njoftoi për tarifat. 

Ditë më parë veçse hynë në fuqi tarifat universale ndaj të tjerëve partnerë me më pak përqindje. Që nga shpallja e tarifave, Trumpi ka thënë se mbi 50 shtete kanë kërkuar negocim të tyre.

BE-ja miraton kundërmasa tregtare ndaj SHBA-së

1 j. më parë / 9 pri 2025 15:19
bashkimi evropian flamujt

Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka siguruar mbështetjen e nevojshme për të vendosur kundërmasa tregtare ndaj SHBA-së, duke u hakmarrë për tarifat e saj të çelikut dhe aluminit.

Në deklaratën e komisionit thuhet se “BE-ja i konsideron tarifat amerikane të pajustifikuara dhe të dëmshme, duke shkaktuar dëm ekonomik për të dyja palët, si dhe ekonominë globale”.

“BE-ja ka shprehur preferencën e saj të qartë për të gjetur rezultate të negociuara me SHBA-në, të cilat do të ishin të balancuara dhe reciprokisht të dobishme”, thuhet më tej në deklaratë.

Por shton se kundërmasat do të hyjnë në fuqi, pasi të kenë përfunduar kontrollet përfundimtare, me detyrimet që do të mblidhen nga e marta, 15 prill.

“Këto kundërmasa mund të pezullohen në çdo kohë, nëse SHBA-ja bie dakord për një rezultat të drejtë dhe të balancuar të negociuar,” thuhet në deklaratë.

Nuk janë dhënë detaje se çfarë kundërmasash ka vendosur Bashkimi Evropian.

Hungaria do të kundërshtojë masat hakmarrëse të BE-së ndaj SHBA-së

1 j. më parë / 9 pri 2025 15:05
viktor Orban

Photo: Associated Press

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto ka thënë se Hungaria do të kundërshtonte propozimin e Komisionit Evropian për të vendosur tarifa hakmarrëse ndaj SHBA-së, duke paralajmëruar se "përshkallëzimi nuk është zgjidhja".

"Masa të tilla do të shkaktonin dëme të mëtejshme për ekonominë evropiane dhe qytetarët, duke rritur çmimet. E vetmja rrugë përpara janë negociatat, jo hakmarrja”, ka thënë Szijjarto.

Por ndryshe nga disa politika të tjera, kundërshtimi i Hungarisë nuk do të ketë asnjë ndikim në këtë propozim pasi nuk ka nevojë për unanimitet midis shteteve anëtare kur bëhet fjalë për vendimet tregtare.

Paketa pritet të kalojë të mërkurën pasdite.

Trump: Kohë e shkëlqyer për të transferuar kompanitë e juaja në SHBA

1 j. më parë / 9 pri 2025 14:31
Donald Trump

Në komentet e tij të para që kur Kina njoftoi se do të rriste tarifat e saj ndaj importeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 84 për qind, presidenti amerikan, Donald Trump po i inkurajon kompanitë të transferohen në SHBA.

Trumpi ka shkruar në rrjetin social “Truth Social”, se “kjo është një kohë e shkëlqyer për të transferuar kompanitë e juaja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“ZERO TARIFA, dhe miratime të menjëhershme për energjinë/elektricitetin. Nuk ka vonesa mjedisore. MOS PRIT, BËJE TANI!” ka shtuar ai.

Vendimi i Kinës vjen në ditën kur kanë hyrë në fuqi tarifat e Trumpit ndaj shteteve që kanë tarifa të larta mbi produktet amerikane.

Kina është më e goditura, me 104% tarifë, e cila është rritur të martën për shkak se Kina nuk i është përgjigjur pritjes së presidentit Trump që shteti aziatik të kërkojë bisedime tregtare.

Rusia thotë se tarifat e Trumpit “shkelin” rregullat e tregtisë ndërkombëtare

1 j. më parë / 9 pri 2025 13:18
Zakharova

Photo: Associated Press

Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kanë anashkaluar rregullat e tregtisë ndërkombëtare me vendosjen e tarifa prej 104 për qind ndaj mallrave të Kinës.

“Washingtoni s’e sheh veten të lidhur me normat e ligjit të tregtisë ndërkombëtare”, ka thënë zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, transmeton BBC.

Kur presidenti amerikan, Donald Trump, rriti taksat ndaj mallrave kineze me 10% në muajin shkurt, Kina parashtroi ankesë në Organizatën Botërore e Tregtisë (OBT), e cila në kuadër të veprimtarisë së saj ka përgjegjësi për zgjidhjen e kontesteve.

Zakharova ka shtuar se vendimi i Trumpit për tarifat reciproke përbën “shkelje të rregullave thelbësore të OBT-së”.

Pavarësisht se Rusia është në mesin e vendeve të përjashtuara nga lista e më shumë se 60 partnerëve tregtarë të goditur prej tarifave të fundit, Zakharova iu ka thënë gazetarëve se vendi po bën hapa për të minimizuar dëmet e mundshme përmes rritjes së bashkëpunimit me Kinën. 

Kina me tarifë prej 84% ndaj mallrave amerikane nga 10 prilli

1 j. më parë / 9 pri 2025 13:16
Donald Trump

Photo: Associated Press

Ministria e Financave e Kinës ka njoftuar të mërkurën se do të vendosë tarifa shtesë për mallrat amerikane nga 10 prilli.

Sipas njoftimit, do të ketë tarifë prej 84% ndaj mallrave amerikane, raporton Reuters.

Vendimi vjen në ditën kur kanë hyrë në fuqi tarifat e Trumpit ndaj shteteve që kanë tarifa të larta ndaj produkteve amerikane.

Kina është më e goditura, me 104% tarifë, e cila është rritur të martën për shkak se Kina nuk i është përgjigjur pritjes së presidentit Trump që shteti aziatik të kërkojë bisedime tregtare.

Erdogan: Turqia s’pret situatë negative tregtare pas tarifave të Trumpit

1 j. më parë / 9 pri 2025 12:29
Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia nuk pret situatë negative tregtare në kuptimin e prodhimit dhe eksporteve si rezultat i tarifave të vendosura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të cilat kanë hyrë në fuqi të mërkurën (sot), raporton Reuters.

Turqia është në mesin e ekonomive që ka shpëtuar me normë të ulët tarifore prej 10 për qind mbi mallrat e saj dhe po shihet si një prej vendeve fitimtare në rrethanat e tanishme.

Në një fjalim drejtuar ligjvënësve nga partia e tij (AK), Erdogan ka thënë se programi ekonomik i Turqisë e ka bërë vendin të qëndrueshëm ndaj goditjeve të jashtme, si dhe është shprehur se ka pritshmëri për rritje ekonomike në planin afatmesëm dhe atë afatgjatë krahasuar me vendet e tjera.

“Ka pasiguri të madhe nëpër botë, por është një program i fortë ekonomik i cili ndriçon rrugën e Turqisë. Ne mendojmë se do ta tejkalojmë këtë periudhë më lehtë sesa shumë vende të tjera, për shkak se jemi një prej vendeve me tarifa të ulëta”, ka deklaruar presidenti turk. 

Turqia - eksportet e çelikut, hekurit dhe aluminit të së cilës morën goditje nga tarifat e mëparshme të SHBA-së - tani pritet të përfitojë pasi partnerët e tjerë tregtarë përballen me tarifa shumë më të larta.

Kina akuzon Trumpin për “praktika agresive”

1 j. më parë / 9 pri 2025 11:36
Trump-Tarifa

Photo: Associated Press

Zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lin Jian, ka deklaruar të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke përdorur praktika agresive në lidhje me tarifat shtesë prej 104 për qind mbi importet kineze, dhe i ka bërë thirrje administratës së presidentit Trump për zgjidhje të mosmarrëveshjes përmes dialogut, transmeton BBC.

Duke folur gjatë një konference për shtyp, Jian ka thënë se “e drejta legjitime e popullit kinez për t’u zhvilluar nuk duhet të privohet nga tarifat e vendosura mbi produktet”.

Ai ka shtuar se nëse presidenti amerikan insiston në nisjen e një lufte më të gjerë tregtare, atëherë “Kina do të detyrohet të luftojë deri në fund”. 

Tarifat reciproke të Trumpit kanë hyrë në fuqi të mërkurën (sot). Kina, si eksportuesja më e madhe në botë, fillimisht ishte goditur me një tarifë prej 34 për qind, krahas tarifave të mëparshme.

Tarifa shtesë prej 104% ndaj Kinës u vendos pasi Pekini zyrtar nuk iu përgjigj ultimatumit të Trumpit për heqjen e tarifës hakmarrëse prej 34% ndaj mallrave amerikane deri në mesditën e së martës.

Vendet anëtare të BE-së votojnë sot kundër tarifave të Trumpit

1 j. më parë / 9 pri 2025 10:55
Bashkimi Evropian

Photo: Associated Press

27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, pritet të miratojnë një listë të gjerë produktesh amerikane që do të përballen me tarifa që nga java e ardhshme, si kundërpërgjigje ndaj taksës fillestare prej 25 për qind për importet e çelikut dhe aluminit nga Evropa, e shpallur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në muajin e kaluar, transmeton BBC.

Tarifat evropiane do të zbatohen në tre faza.

Nga java e ardhshme, më 15 prill, plani është që të vendosen tarifa prej 25% mbi një listë fillestare, e cila pritet të përfshijë motorë, varka luksoze dhe lëng portokalli. Bourboni amerikan, vera dhe produktet e qumështit ishin në listën fillestare të BE-së, por janë hequr pas lobimit nga industria e verës në Evropë.

Masat fillestare do të fillonin më 1 prill, por u lanë anash për t’u dhënë mundësi negociatave. Propozimi i shefes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për një marrëveshje tarifore “zero për zero” u hodh poshtë menjëherë nga presidenti amerikan.

Një fazë e dytë që pritet të fillojë nga mesi i muajit maj, përfshin produktet e tekstilit, vezët, fijet për dhëmbë dhe pulat.

Pastaj, nga 1 dhjetori, do të vendosen tarifa kundër sojës dhe bajameve. Soja përdoret për ushqimin e kafshëve dhe përbën vlerën më të madhe për eksportet amerikane në Evropë.

Tarifat e reja të presidentit amerikan prej 20% për importet e BE-së kanë hyrë në fuqi të mërkurën (sot)  - dhe lista e cila do të hidhet në votim në Bruksel nuk i adreson ato. Komisioni Evropian është duke përgatitur kundërmasa të reja, të cilat mund të bëhen publike në javën e ardhshme.

Trump: Po bëjmë pasuri nga tarifat

1 j. më parë / 9 pri 2025 08:04
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja po bën pasuri nga tarifat.

Në një ngjarje të republikanëve të martën në mbrëmje, Trumpi ka thënë se SHBA-ja po përfiton 2 miliardë dollarë në ditë nga masa ekonomike.

"Dy miliardë dollarë në ditë. A e besoni? Më thanë dy miliardë dollarë në ditë. Përveç kësaj, ne kemi shumë vende që vijnë të na shohin, ato duan të bëjnë një marrëveshje”, është shprehur presidenti amerikan, raporton AP.

Ekonomistët dhe investitorët presin që tarifat të shkaktojnë një recesion nëse ato zgjasin për një kohë të gjatë. 

Tarifat “eksplozive” të Trumpit kanë hyrë në fuqi të mërkurën, teksa Kina është më e goditura, me rritje të saj në 104% të martën.

Vendimi për rritje ka ardhur pasi Kina nuk i është përgjigjur pritjes së Trumpit për bisedime lidhur me masën paraprake prej 34% ndaj saj.