Botë

Hunter Biden po akuzohet se u pagua nga oligarku rumun për të “ndikuar në SHBA”

Hunter Biden

Hunter Biden (Foto: Getty Images)

Prokurorët në SHBA që po merren me rastin gjyqësor të Hunter Bidenit për evazion fiskal e kanë akuzuar atë se ka pranuar para nga një oligark rumun që kërkonte të “ndikonte në agjencitë qeveritare të SHBA-së”. 

Hunter Biden është djali i presidentit të SHBA-së, Joe Biden. 

Akuzat janë pjesë e një rasti më të gjerë ndaj Hunterit, që po akuzohet për evazion fiskal në vlerë 1.4 milionë dollarë mes viteve 2016 dhe 2019, ndërsa shpenzoi miliona në vetura luksoze, drogë dhe eskorta. 

Republikanët e kanë akuzuar vazhdimisht Hunter Bidenin për marrje të parave për të ndikuar, ndonëse hetimet ende nuk e kanë zbuluar ndonjë gjë të tillë. 

Rasti gjyqësor ndaj Hunter Bidenit është paraparë të nisë në Kalifornia në shtator. Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave. 

Sipas dokumenteve që janë dorëzuar të mërkurën nga prokurorët në gjykatën e qarkut në Los Angeles, është thënë se një shtetas rumun e ka angazhuar Hunter Bidenin në vitin 2015, në kohën kur Joe Biden ishte zëvendëspresident i SHBA-së. 

Ndërsa në dokumente biznesmenit rumun i është referuar vetëm me iniciale, GP, mediat në SHBA e kanë identifikuar atë si Gabriel Popoviciu, që në atë kohë po përballej me akuza për korrupsion në Rumani. 

Prokurorët thonë se planifikojnë të dorëzojnë dëshmi se Hunter Biden dhe një bashkëpunëtor “kanë marrë kompenzim nga një i huaj që po përpiqej të ndikonte në politikën dhe opinionin publik të SHBA-së” dhe të nxiste SHBA-në “të hetonte hetimin rumun për GP”. 

Dokumenti gjyqësor gjithashtu thotë se Biden dhe bashkëpunëtori i tij “ishin të shqetësuar se puna lobuese mund të shkaktonte pasoja politike për babanë e të pandehurit” – Joe Bidenin – dhe donin të fshinin “natyrën e vërtetë të marrëveshjes”. 

Në total, prokurorët besojnë se Hunter Biden dhe dy bashkëpunëtorë të tij kanë ndarë 3 milionë dollarë pagesa nga Popoviciu.