Hungarisë i janë mohuar zyrtarisht një miliard euro nga fondet e Bashkimit Evropian që ishin ngrirë për shkak të korrupsionit, ka bërë të ditur blloku. Është hera e parë që BE-ja ka zbatuar një masë të tillë.
Brukseli në vitin 2022 filloi procedurat e “kushtëzimit” kundër Hungarisë, për shkak të dyshimeve se Qeveria hungareze i ka shkelur rregullat në prokurim publik, si dhe parimet për kontrollin dhe transparencën, transmeton KyivPost.
Kjo shumë parash ka qenë pjesë e pakos së fondeve prej 19.7 miliardë eurove që janë ngrirë prej vitit 2022, kur Brukseli pati nisur procedurat e “kushtëzimit” ndaj Hungarisë.
Që nga kthimi i tij në pushtet në vitin 2010, kryeministri nacionalist Viktor Orban ka forcuar kontrollin e tij duke lejuar disa nga aleatët e tij të pasurohen shumë shpejt.
Në korrik, Komisioni Evropian, në një raport konstatoi se Hungaria nuk i përmbushi standardet demokratike të BE-së, veçanërisht sa i përket korrupsionit, financimit politik, konfliktit të interesit dhe pavarësisë së medias.
Orban ka premtuar të luftojë për të mbrojtur paratë që sipas tij, i takojnë Hungarisë.
“Ata vazhdimisht përpiqen të marrin paratë e hungarezëve me një sërë mjetesh dhe metodash të ndryshme”, pati thënë ai në dhjetor.
Ekonomia e Hungarisë po përballet së fundmi me vështirësi, duke rritur presionin ndaj Orbanit para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në vitin 2026.