Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë pushtuar disa ishuj të tjerë strategjikë në pjesën jugore të Detit të Kuq, duke forcuar kontrollin e tyre mbi një nga rrugët kryesore të transportit detar, kanë njoftuar të hënën zyrtarë të qeverisë dhe të Houthëve,
Marrja e ishujve Hanish i Madh dhe Hanish i Vogël ndodhi ndërsa forcat qeveritare, të mbështetura nga Arabia Saudite, u përpoqën gjatë fundjavës të riorganizoheshin dhe të kundërpërgjigjeshin pas përparimit të shpejtë të rebelëve rreth ngushticës Bab el-Mandeb, një rrugë jetike alternative transporti ndaj Ngushticës së Hormuzit.
Fitoret e reja të Houthive u mundësojnë atyre të kërcënojnë më tej transportin e naftës bruto saudite, i cili ka përdorur Detin e Kuq si alternativë ndaj Ngushticës së Hormuzit, ku Irani ka sulmuar anijet.
Përshkallëzimi i situatës, veçanërisht sulmet e Houthëve ndaj infrastrukturës së naftës dhe transportit detar saudit në Detin e Kuq, shton presionin mbi furnizimet dhe çmimet globale të naftës dhe mund t’i japë Iranit më shumë avantazh në luftën e tij me Shtetet e Bashkuara.
Rebelët Houthi kanë vendosur luftëtarë në ishujt Hanish, rreth 160 kilometra në veri të Bab el-Mandebit, pasi qindra forca të lidhura me qeverinë u tërhoqën nga arkipelagu, sipas dy zyrtarëve qeveritarë dhe një zyrtari të Houthëve.
Marrja e ishujve ka ndodhur pasi rebelët javën e kaluar pushtuan qytetin port të Mokhas, në territorin kontinental pranë tyre, si dhe ishullin Mayun, i cili ndodhet brenda ngushticës Bab el-Mandeb.
Përparimi i Houthive i ka vendosur ata 32 kilometra, larg bazës ushtarake amerikane në Xhibuti, në anën tjetër të ngushticës Bab el-Mandeb.
Përparimi i tyre u bë me pak rezistencë nga forcat e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht. Por gjatë fundjavës, këto forca u përpoqën të riorganizoheshin, ndërsa ushtria jemenase ka thënë të dielën vonë se kishte avancuar drejt qytetit strategjik Dhubab, në veri të ngushticës.
Luftimet po e rikthejnë Jemenin drejt një lufte civile në shkallë të plotë, pas një armëpushimi që kryesisht kishte ruajtur qetësinë gjatë tre vjetëve të fundit.