Botë

Historia e një çminuesi nga Zimbabveja që shërbeu edhe në Kosovë

Pavarësisht nga tmerret e asgjësimit të minave tokësore, Tawengwa tha se puna gjithashtu ka të mirat e saj. “Një ditë arrita të shihja fëmijë në komunitetin ku kishim pastruar minat duke luajtur futboll - në një fushë që ata e kishin shmangur më parë”, tha ai. “Kjo më dha një ndjenjë shumë të mirë për punën që bëj unë dhe kolegët e mi”

Job Tawengwa ka kaluar rreth 25 vjet të jetës së tij duke çaktivizuar municione të pashpërthyera.

Kur i erdhi thirrja nga Sudani Jugor i shkatërruar nga lufta, në qershor të 2011-s, Job Tawengwa nuk hezitoi të thoshte po. Tawengwa me bazë në Harare, një ekspert i çminimit dhe asgjësimit të mjeteve shpërthyese (EOD), e dinte se do të ishte e rrezikshme, si zakonisht.

Thirrja e tij e parë për të pastruar minat tokësore erdhi në vitin 1998, nga Mozambiku, pranë vendlindjes së tij, Zimbabve. Kjo ndodhi gjashtë vjet pasi një traktat paqeje i dha fund një lufte civile brutale, 15-vjeçare, midis rebelëve të Renamos dhe ushtrisë mozambike. Ai u bashkua me një ekip ekspertësh të çminimit dhe filloi punën e pastrimit të fushave nga minat, në provinca të ndryshme të Afrikës Jugore.

Që atëherë, Tawengwa, tani 47 vjeç, ka shkuar kudo nga Iraku në Liban e deri në Afganistan, për të jetuar një jetë aspak të sigurt.

“Me këtë punë, ka gjithmonë rrezik”, tha ai për Al Jazeeran.

Për më shumë se 20 vjet, jeta në Zimbabve ka qenë gjithashtu e pasigurt për miliona të tjerë. Papunësia mbetet po aq e përhapur sot, sa ishte në vitin 2000, kur reformat mbi tokën i dhanë goditje prodhimit bujqësor dhe kontribuuan në një rënie të paprecedent ekonomike.

Hiperinflacioni u rrit në nivele rekord, duke arritur kulmin në 79.6 miliardë për qind muaj pas muaji në nëntor të vitit 2009.

Që atëherë, shumë prej tyre kanë filluar punë joformale. Mësuesit dhe personeli mjekësor shpesh nuk paguhen nga qeveria, por qëndrojnë sepse nuk ka alternativa të tjera.

Më shumë se dy milionë zimbabvianë kanë ikur gjithashtu në Afrikën e Jugut, në vendin fqinj, më të madh, më progresiv, për mundësi më të mira. Një milion tjetër zimbabvianë vlerësohet gjithashtu se janë larguar tërësisht nga Afrika.

“Me ndryshimet klimatike dhe presionet socio-ekonomike, migrimi është mekanizmi më i mirë përballues për zimbabvianët”, tha për Al Jazeeran, shefi i misionit të IOM-it për zimbabvianë, Mario Malanca.

“Zimbabvianët … nuk shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar apo askund tjetër pse janë të bukur, por sepse janë të arsimuar dhe të kualifikuar. Mendoj se ky duhet të jetë mesazhi për Zimbabvenë, për të vazhduar prodhimin e trurit për botën”.

Për Tawengwan, nuk qe e vështirë të vendoste që të punonte diku ku paguhej mirë, pavarësisht rrezikut.

“Pagat që çminuesit merrnin, kur filluam punën në fund të viteve ‘90 ishin 10 herë më të larta se ato që merrnin profesionistët në Zimbabve në atë kohë dhe kjo ishte tërheqja e parë për mua”, tha ai për Al Jazeeran.

“Rreziku është gjithmonë aty”

Në korrik të vitit 2011, Sudani Jugor fitoi pavarësinë nga “vëllai i tij më i madh”, Sudani, pas dy dekadash lufte.

Rreth dy milionë njerëz vdiqën në atë që mbetet konflikti më i gjatë në Afrikë. Edhe pas pavarësisë, marrëveshja për ndarjen e pushtetit në kombin më të ri në botë nuk u respektua, duke e zhytur atë në krizë të mëtejshme.

Ka ende bomba, mina tokësore dhe pajisje shpërthyese të improvizuara (IED) dhe materiale të tjera të rrezikshme në shumë zona të Sudanit Jugor - një tjetër rrezik i shtuar për një popullsi që tashmë po përballet me dhunën e armatosur, fatkeqësitë natyrore dhe urinë.

Detyra e Tawengwas ishte të bëhej pjesë e një ekipi EOD, që identifikonte, vlerësonte dhe zbuste rreziqet që lidhen me municionet e pashpërthyera duke përdorur mjete dhe teknika të specializuara, për një kompani të kontraktuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS) për Shërbimin e Veprimit ndaj Minave të Kombeve të Bashkuara (UNMAS).

UNMAS-i ka mandat për të koordinuar heqjen e mbetjeve shpërthyese të luftës (ERW) për të mbrojtur civilët dhe për të siguruar kthimin e sigurt të atyre që u zhvendosën.

Në qershor të 2022-tës, Agjencia e OKB-së për refugjatët raportoi se UNMAS-i kishte eliminuar me sukses më shumë se një milion pajisje shpërthyese në Sudanin Jugor. Midis tyre ishin 40.121 mina, 76.879 bomba thërrmuese dhe 974.968 pajisje të tjera të pashpërthyera.

Përveç rreziqeve të natyrshme të punës, çminuesve u është dashur të përballen me njerëz të armatosur dhe milici, të cilët ende enden në vend.

“Ne hasnim në njerëz të armatosur dhe milici kudo që shkonim, të cilët shpesh vendosnin postblloqe dhe duhej të negocionim me ta”, tha Tawengwa për Al Jazeeran. “Rreziku është gjithmonë aty, në rrugë, nga minat antitankë dhe minat kundër personelit dhe nuk mund të largohesh nga rruga”.

Përpara festimeve të Ditës së Pavarësisë së Sudanit Jugor, më 9 korrik 2011, shpërthime masive tronditën një ndërtesë në kryeqytetin, Juba, afër Sheshit të Festimeve, vendi i ceremonisë. Burimi i shpërthimeve ishte një bunker magazinimi i përdorur për ruajtjen e armëve dhe eksplozivëve të nivelit ushtarak.

“Më duhej ta pastroja atë bunker pranë Sheshit të Festimeve”, kujton Tawengwa. “Isha pjesë e ekipit dyanëtarësh që duhej të pastronte predhat dhe minat që nuk kishin shpërthyer. Ne po garonim me kohën, pasi pavarësia ishte pas disa ditësh”.

“Në bunker, mina, predha dhe municione të tjera të pashpërthyera (UXO) ishin të mbledhura në një grumbull, që ekipi i çminimit i ngarkoi në një kamion”, tha ai.

Teksa ngiste kamionin e ngarkuar, drejt vendit të shkatërrimit, atij iu kujtua një incident në të cilin dy çminues kishin vdekur në detyrë – dhe u lut që të mos kishte të njëjtin fat.

Image

Sfidat gjatë punës

Pas Jubas, Tawengwa u gjend në Wau, rreth 60 km larg kryeqytetit.

Wau ishte shtëpia e Tawengwas për tre muaj dhe ai flinte në tenda në një kamping, me pak më shumë se nevojat themelore - dhe shumë sfida po ashtu.

Lufta kishte përkeqësuar tensionet etnike në Sudanin Jugor, një vend me 65 etni unike dhe kjo reflektohej edhe në mënyra të zakonshme.

“Unë mblodha një ekip dhe zgjodha njerëz të ndryshëm nga grupe të ndryshme”, tha Tawegnwa. “Prania e një fisi të caktuar në një zonë tjetër mund të shkaktojë probleme në rrugën drejt zonës së rrezikshme”.

Për shkak të rreziqeve, disa punëtorë nga grupe të caktuara etnike refuzuan të punojnë në vende të caktuara gjeografike nga frika e sigurisë së tyre. “Milicitë etnike shpesh ndalonin autokolonat dhe pyesnin se pse një pjesëtar i caktuar i një etnie rivale po udhëtonte në atë zonë”, tha ai.

Në një incident të ndodhur, derisa një autokolonë çminuesish po kalonte rrugën në Wau, një breshëri plumbash goditi një nga makinat. “Pasagjerët e automjetit të sulmuar ishin me fat që nuk pësuan”, tha Tawengwa.

Sulmuesit me pushka më pas grabitën automjetet e tjera në kolonë. Sulmuesit u larguan me shpejtësi pasi rrëmbyen shtatë minatorë dhe tri makina. Çminuesit e rrëmbyer u mbajtën për një javë dhe u liruan vetëm pas negociatave të suksesshme me rebelët.

Toyota LandCruisers, sipas Tawengwas, janë automjetet më të kërkuara nga rebelët për shkak të aftësisë së tyre për të kaluar në terrene gjarpërore.

Image

“Ata [rebelët, gjithashtu] rinovojnë dhe montojnë mitralozët në pjesën e pasme”, tha për Al Jazeeran, Woodrow Chivhu, një mekanik që punoi disa vjet në Sudanin Jugor. “As vetë nuk e di se sa automjete humbëm, në kohën sa unë punoja atje”.

Tawengwa ka shumë histori të tjera të frikshme.

Një herë tjetër, një kontraktues ushtarak vendas, i dehur në kampin Wau, filloi të tundte një minë tokësore që kishte nxjerrë. Tawengwa thirri një përkthyes, urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të kampit dhe e çaktivizoi minën me delikatesë.

“Përfundova duke ndarë një tendë me mjete të pashpërthyera dhe e arrita ta asgjësoja tek mëngjesin tjetër”, tha ai.

Pavarësisht nga tmerret e asgjësimit të minave tokësore, Tawengwa tha se puna gjithashtu ka të mirat e saj.

“Një ditë, arrita të shihja fëmijë, në komunitetin ku kishim pastruar minat duke luajtur futboll - në një fushë që ata e kishin shmangur më parë”, tha ai. “Kjo më dha një ndjenjë shumë të mirë për punën që bëj unë dhe kolegët e mi”.

Në kontakt me shtëpinë

Në Harare, gruaja dhe tre fëmijët e Tawengwas janë mësuar me vizitat e tij të rralla. Pas tre muajsh në terren, çminuesit zakonisht marrin deri në tri javë pushim, për të vizituar familjet e tyre.

“Në ditët e para në Sudanin Jugor, thirrjet dhe lidhja me internetin ishin të dobëta, dhe të qëndrosh në kontakt me Hararen ishte e vështirë”, tha ai.

Fëmija i tij i parë, tani në universitet, lindi në vitin 2000, derisa Tawengwa ishte në detyrë në Kosovë. Tawengwa arriti ta shihte për herë të parë fëmijën kur gruaja e tij erdhi për ta pritur atë në aeroportin e Harares.

Megjithatë, në ditët e sotme, komunikimi me familjen e tij është shumë më i lehtë.

“Teknologjia ishte e kufizuar dhe ne ndanim një telefon satelitor me një grup prej 50 personash dhe arrinim të bënim një telefonatë një herë në javë ose duhej të udhëtonim në qytetin më të afërt për të folur dhe për ta njoftuar atë [gruan time] që jam i sigurt dhe mirë”, tha ai. “Tani mund të bëj telefonata me video dhe mund të flas me të gjithë”.

Përktheu: Forca Jashari