Në shenjë hakmarrjeje

Hezbollahu sulmon me raketa veriun e Izraelit

Sulmon Hezbollahu

Grupi militant libanez Hezbollah gjuajti raketa në qytetet në veri të Izraelit

Foto: Associated Press

Grupi militant libanez Hezbollah gjuajti raketa në qytetet në veri të Izraelit, duke thënë se përdori armët kundër objektivave civile për herë të parë të enjten, në hakmarrje për sulmet ajrore izraelite një natë më parë, që lanë të vdekur nëntë persona.

Nuk ka raportime për izraelitë të lënduar nga sulmi, sipas mediave lokale. 

Që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas në Gaza më 7 tetor, janë shtuar shqetësimet se përleshjet thuajse të përditshme përgjatë kufirit midis Izraelit dhe Libanit mund të përshkallëzohen në një luftë në shkallë të gjerë. 

Sulmet ajrore dhe raketat të mërkurën lanë të vdekur 16 libanezë dhe një izraelit, duke e bërë atë ditën më vdekjeprurëse të konfliktit aktual.

Zëdhënësi kryesor ushtarak i Izraelit, adm. Daniel Hagari, ka thënë se Izraeli kishte vrarë 30 militantë të Hezbollahut javën e kaluar dhe kishte shkatërruar dhjetëra objekte ushtarake të Hezbollahut, në një përpjekje për të larguar grupin e mbështetur nga Irani nga kufiri.

Rritja e fundit e dhunës ka ngritur alarmin në Washington dhe në Kombet e Bashkuara.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby ka thënë se SHBA-ja po punon për të ndalur luftimet përmes përpjekjeve diplomatike. 

“Kjo duhet të jetë një përparësi kryesore për Izraelin dhe Libanin, dhe do të lejojë që civilët e zhvendosur të kthehen në shtëpi”, ka thënë Kirby.