Botë

Hezbollahu paralajmëron se po afrohet hakmarrja ndaj Izraelit

Hassan Nasrallah

Lideri i grupit libanez Hezbollah ka thënë se po afrohet hakmarrja ndaj Izraelit për vrasjen e komandantit të lartë të tij në Bejrut javën e kaluar, raporton “BBC”. 

Duke folur në një adresim televiziv, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka thënë se hakmarrja “do të jetë e fuqishme dhe efikase” dhe se vrasja e komandantit Fuad Shukr nuk do të trajtohet thjeshtë si një sulm i zakonshëm. 

Ai ka thënë se grupi mund të veprojë i vetëm apo në koordinim me fraksionet tjera në rajon të mbështetura nga Irani. 

Shtetet nëpër botë u kanë bërë thirrje qytetarëve të largohen nga Libani, pas rritjes së frikës se një sulm i Hezbollahut ndaj Izraelit mund të zgjerojë luftën në rajon. 

Irani ka premtuar hakmarrje po ashtu pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran javën e kaluar. Si Hamasi ashtu edhe Irani kanë fajësuar Izraelin për sulmin. Izraeli nuk e ka komentuar këtë. 

Nasrallah ka folur për një orë e gjysmë.