Botë

Hezbollahu i gatshëm të bisedojë për çarmatosje

Hezbollah

Foto: Associated Press

Një zyrtar i lartë i Hezbollahut i ka thënë Reutersit se grupi është gati të zhvillojë bisedime me presidentin libanez lidhur me çarmatosjen e tij, nëse Izraeli tërhiqet nga Libani jugor dhe ndalon sulmet e tij.

Presidenti i mbështetur nga SHBA-ja, Joseph Aoun, i cili është zotuar kur mori detyrën në janar për të vendosur një monopol shtetëror mbi kontrollin e armëve, synon të nisë së shpejti bisedimet me Hezbollahun për arsenalin e tij, kanë thënë tri burime politike libaneze.

Diskutimet për çarmatimin janë intensifikuar që kur balanca e fuqisë është përmbysur nga lufta e vitit të kaluar me Izraelin, dhe rrëzimi i aleatit sirian të Hezbollahut, ish-presidentit Bashar al-Assad.

Hezbollahu ka dalë shumë i dobësuar nga konflikti i vitit 2024 me Izraelin, kur liderët e tij më të lartë dhe mijëra luftëtarë të tij u vranë dhe një pjesë e madhe e arsenalit të tij raketor u shkatërrua.

Zyrtari i lartë i Hezbollahut ka thënë se grupi është gati të diskutojë armët e tij në kontekstin e një strategjie të mbrojtjes kombëtare, por kjo varet nga tërheqja e trupave të Izraelit nga pesë majat e kodrave në Libanin jugor

“Hezbollahu është gati të diskutojë çështjen e armëve të tij nëse Izraeli tërhiqet nga pesë pikat dhe ndal agresionin e tij kundër libanezëve”, ka thënë në kushte anonomiteti zyrtari i lartë për Reuters.

Pozicioni i Hezbollahut mbi diskutimet e mundshme rreth armëve të tij nuk është raportuar më parë.

Izraeli, i cili ka dërguar trupa tokësore në Libanin jugor gjatë luftës, është tërhequr kryesisht, por ka vendosur në shkurt të mos largohet nga pesë pozicionet në majë të kodrës. 

Megjithë një armëpushimi që është arritur në nëntor, sulmet ajrore izraelite kanë vazhduar presionin mbi grupin teksa Uashingtoni ka kërkuar çarmatosjen e Hezbollahut dhe po përgatitet për bisedime bërthamore me mbështetësit iranianë të Hezbollahut.

Hezbollahu ka qenë më i fuqishmi nga grupet paraushtarake që Irani ka mbështetur në të gjithë rajonin, por linjat e tij të furnizimit me Iranin përmes Sirisë janë ndërprerë që nga rrëzimi i Asadit.

Reuters ka raportuar të hënën se disa grupe milicie të mbështetura nga Irani në Irak janë të përgatitur të çarmatosen për herë të parë për të shmangur kërcënimin e një konflikti të përshkallëzuar me administratën Trump në SHBA.

Hezbollahu ka refuzuar prej kohësh thirrjet e kritikëve të tij në Liban për të çarmatosur, duke i përshkruar armët e tij si jetike për mbrojtjen e vendit nga Izraeli.

Kritikët e grupit thonë se grupi e ka tërhequr në mënyrë të njëanshme Libanin në konflikte dhe prania e arsenalit të tij të madh jashtë kontrollit të qeverisë ka minuar shtetin.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja me Izraelin kërkon që ushtria libaneze të çmontojë të gjitha objektet ushtarake të paautorizuara dhe të konfiskojë të gjitha armët, duke filluar në zonat në jug të lumit Litani, i cili derdhet në Mesdhe rreth 20 km në veri të kufirit izraelit.