Botë

Hezbollahu e konfirmon se komandanti i tij ushtarak u vra në Bejrut

Bejrut

Hezbollahu e ka konfirmuar se komandanti i tij i lartë ushtarak, Fuad Shukur, është vrarë nga sulmi i Izraelit në Bejrut.

Trupi i Shukurit është gjetur në rrënojat e ndërtesës së goditur, një ditë pas sulmit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Shukur ishte “përgjegjësi kryesor për masakrimin” e 12 fëmijëve të dielën.

Ai ka thënë se vizitoi fshatin Majdal Shams, ku raketat kishin goditur, dhe se ai “pa vuajtjen e familjeve bota e të cilave ishte shkatërruar”.

Izraeli “nuk do të hesht” përballë “këtyre ditëve sfiduese”, ka shtuar Netanyahu.

Ai ka potencuar se që nga sulmi në Bejrut, Izraeli po merr kërcënime nga të gjitha anët.

“Jemi të përgatitur për çdo skenar”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për të gjitha palët që të shmangin përshkallëzimin në një konflikt më të gjerë rajonal.