Hetuesit federalë të SHBA-së kanë marrë kutinë e zezë nga anija e mallrave që u përplas të martën në urën në Baltimore, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane të mërkurën, derisa ekipet e kërkimit po vazhdojnë të kërkojnë për gjashtë të zhdukur që ndodheshin në urë në momentin e aksidentit.
Një ekip i autostradës gjithashtu do të kërkojë te mbetjet e urës "Francis Scott Key", derisa do të mundohet të përcaktojë se si dhe pse anija me mallra u përplas në shtyllën e urës 2,6-kilometërshe, raportoi agjencia "Retuers".
Hetuesit nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA-së, gjetën regjistruesin e të dhënave pasi hipën në anije vonë të martën, ka thënë kryetarja e NTSB-së, Jennifer Homendy. Ata do të intervistojnë ekuipazhin e anijes, ka bërë të ditur ajo.
Katastrofa detyroi autoritetet për mbylljen e Portit të Baltimoret, një prej më të ngarkuarve në SHBA.
Ekipet e kërkimit kanë arritur të nxjerrin të gjallë nga uji dy prej punëtorëve, njëri prej të cilëve është hospitalizuar.
Ndërkaq, gjashtë të tjerët të cilët supozohet të jenë të zhdukur, përfshijnë emigrantë nga Meksika, Guatemala dhe El Salvadori, ka thënë Konsullata meksikane në Washington.
Tetë punëtorët ishin pjesë e një ekipi për riparimin e gropave në sipërfaqen e rrugës, kur anija "Dali", me flamurin e Singaporit, goditi shtyllën e urës, derisa po largohej nga Baltimore në drejtim të Shri Lankës.