Botë

Hegseth: Bisedimet e paqes do të mbahen me Putinin dhe Zelenskyn

Pete Hegseth

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar të enjten në Bruksel se presidenti Donald Trump ka biseduar si me presidentin rus Vladimir Putin ashtu dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, që është një sinjal i fortë sipas Hegseth që “bisedimet e paqes do të mbahen me të dy liderët” shkruan The Guardian.

Hegseth ka shtuar se presidenti Trump është “negociatori i përsosur”, dhe se “negociatat e paqes do të përmbajnë elemente që asnjëra palë nuk i dëshiron”.

Mirëpo sipas tij, sa u përket kufijve, është e qartë se ata nuk do të kthehen ashtu siç ishin në vitin 2014, para aneksimit të Krimesë nga Rusia.

I pyetur se nëse marrëveshja potenciale mund t’i imponohet Ukrainës, ai tha se “në fund, nuk është vendimi im” për shkak se negociatat do të kryesohen nga presidenti Trump.

Këto deklarata të Hegseth vijnë si rrjedhojë e reagimeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se “s’mund të ketë marrëveshje për Ukrainën pa përfshirjen e Ukrainës në negociata”. Ndërkohë më vonë gjatë ditës së enjte, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kishte deklaruar se Ukraina do të jetë pjesë e negociatave “në një formë ose një tjetër”.