Botë

Harrisi kritikon Trumpin për “ngatërresat” e stafit të tij te varrezat e ushtarakëve

Kamala Harris, Donald Trump

Kamala Harris, Donald Trump

Foto: Associated Press

Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka kritikuar ish-presidentin, Donald Trump për një polemikë në të cilën ishin përfshirë zyrtarë të fushatës së tij me zyrtarët e varrezave, në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ditë më parë.

Harris ka thënë se vendi i varrezave ushtarake "nuk është një vend për politikë", raporton BBC.

Harrisi kishte shkruar në rrjetet sociale se Trumpi nuk e respektoi tokën e shenjtë, dhe se këtë e kishte bërë për “çështje politike”.

Ushtria amerikane ka thënë se një punonjës i Trumpit "e kishte shtyrë papritmas mënjanë" një punonjës të varrezave, i cili po përpiqej të paralajmëronte ekipin e tij për rregullat kundër xhirimeve në varreza.

Fushata e Trumpit ka kundërshtuar këtë duke thënë se kishte marrë leje nga familjet e ushtarëve të rënë, për të filmuar.

Incidenti ka ndodhur të hënën, kur Trumpi ishte në një ngjarje për nderimin e 13 anëtarëve të shërbimit ushtarak amerikan që ishin vrarë gjatë tërheqjes së vendit nga Afganistani, tre vjet më parë.

Harris ka shkruar në rrjetet sociale se kishte vizituar disa herë Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Virxhinia gjatë mandatit të saj si zëvendëspresidente dhe se nuk do ta përdorte kurrë vendin për përfitime politike.

“Nëse ka një gjë për të cilën ne si amerikanë mund të biem dakord të gjithë, është se veteranët tanë, familjet ushtarake dhe pjesëtarët e shërbimit, duhet të nderohen, të mos nënçmohen dhe të trajtohen me asgjë më pak se respektin dhe mirënjohjen tonë më të lartë”, ka shkruar Harris. 

“Dhe besoj se dikush që nuk mund ta përmbushë këtë detyrë të thjeshtë e të shenjtë, nuk duhet të qëndrojë më kurrë pas vulës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar Harris.

Në një tubim të fushatës në Michigan të enjten, Trumpi i është kundërpërgjigjur atyre që e kishin kritikuar për incidentin.

Ai ka thënë se i ishte kërkuar të pozonte për një foto pas memorialit, nga anëtarët e familjes së ushtarëve që kishin vdekur.

LEXO EDHE: