Kandidatja e Partisë Demokratike për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka thënë se nëse amerikanët e zgjedhin Donald Trumpin për president do të niste hakmarrjen ndaj rivalëve politikë, përfshirë amerikanët e thjeshtë, duke premtuar se ajo do të punonte për popullin.
“Në më pak se 90 ditë, ose Donald Trumpi ose unë do të jemi në Zyrën Ovale”, ka thënë ajo në një tubim elektoral në Washington DC në prag të zgjedhjeve të 5 nëntorit.
“Në ditën e parë, nëse zgjidhet, Donald Trumpi do të hynte në atë zyrë me listën e armiqve. Kur të zgjidhem unë, do të hyj në listë me prioritete se çka të bëj për popullin amerikan”, ka thënë ajo.
Duke qëndruar në vendin ku Trumpi u kishte thënë simpatizantëve të vet të luftojnë, në tensionet e njohura të US Capitolit, Harrisi i ka përshkruar zgjedhjet si përzgjedhje midis lirisë që ajo premton ta mbrojë dhe “kaosit dhe ndarjes” që ka thënë se Trumpi do ta përçonte nga Shtëpia e Bardhë.
“Donald Trumpi synon ta përdorë ushtrinë amerikane kundër qytetarëve amerikanë që thjesht nuk pajtohen me të. Njerëzit që i quan ‘armiq të brendshëm’. Ky s’është kandidat për president që mendon se si t’ua përmirësojë jetën”, ka thënë ajo. “Ai është jostabil, i obsesionuar me hakmarrje, i mbushur me urrejtje dhe kërkon pushtet të pakontrolluar”.