Botë

Harris pohon se “Trumpi është fashist”

Donald Trump dhe Kamala Harris

Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris është pajtuar gjatë një interviste së fundmi se kundërkandidati i saj republikan, Donald Trump është një fashist, duke e cilësuar atë madje edhe si një autokrat të mundshëm që mund të ketë vizione autoritare nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së ka folur në një intervistë me Charlamagne Tha God, një drejtues radioje me ndikim, e cila arrin një audiencë kryesisht afro-amerikane, prej 8 milionë dëgjuesish në muaj.

Biseda ndodhi gjatë një ndalese fushate në Detroit, qendra e një beteje midis dy kandidatëve për shtetin e Miçiganit, raporton The Guardian.

Duke paraqitur opsionet elektorale, Harris fillimisht ishte e kujdesshme, duke i thënë drejtuesit të radios se votuesit në zgjedhjet e 5 nëntorit "kanë dy zgjedhje ... dhe janë dy vizione shumë të ndryshme për kombin tonë".

Charlamagne atëherë e shtyu atë të bënte një kthesë, duke deklaruar: “Tjetra ka të bëjë me fashizmin. Pse nuk mund ta themi këtë?

Harris u përgjigj menjëherë: Po, mund ta themi këtë.

Është hera e parë që Harris ka miratuar publikisht përdorimin e fjalës fashist për të përshkruar Trumpin dhe planin e tij për qeverisje.

Deklarata e saj për Trumpin hap një terren të ri në një fushatë presidenciale në të cilën ajo tashmë ka kritikuar marrëdhëniet e tij të ngrohta me liderin rus, Vladimir Putin, dhe shprehjen e admirimit për autokratë të tjerë të huaj.

Fushata e Trumpit i denoncoi menjëherë vërejtjet e Harrisit si nxitje të kritikëve më të ashpër të Trumpit që të përpiqeshin ta vrisnin atë – një pretendim që mbështetësit e ish-presidentit e kanë ngritur shpesh ndaj demokratëve se e kanë cilësuar atë si një kërcënim për demokracinë.