Nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, njoftoi për më shumë se 1.5 miliardë dollarë ndihmë pjesërisht për sektorin energjetik të Ukrainës dhe situatën e saj humanitare si rezultat i pushtimit 27-mujor të Ukrainës nga Rusia.
Njoftimi u bë ndërkohë që Harris merr pjesë në një samit të paqes në Ukrainë që mbahet në Zvicër, ku ajo do të takohet me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe do të flas në seancën plenare të samitit.
“Këto përpjekje do të ndihmojnë Ukrainën t’i përgjigjet sulmeve të fundit të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës duke mbështetur riparimin dhe rimëkëmbjen, duke përmirësuar qëndrueshmërinë e Ukrainës ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji dhe duke hedhur bazat për riparimin dhe zgjerimin e sistemit energjetik të Ukrainës”, njoftoi zyra e Harrisit.
Ajo njoftoi gjithashtu më shumë se 379 milionë dollarë ndihmë humanitare nga Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar për të ndihmuar refugjatët dhe njerëzit e tjerë të prekur nga lufta.
Paratë janë për të mbuluar ndihmën ushqimore, shërbimet shëndetësore, strehimin dhe shërbimet e ujit, kanalizimeve dhe higjienës për miliona ukrainas.