Botë

Harris merr mbështetje të madhe nga demokratët për të kandiduar për presidente

Kamala Harris

Foto: Associated Press

Një ditë pas vendimit të presidentit Joe Bidenit për t’u tërhequr nga gara për rizgjedhje në krye të SHBA-së, është shtuar mbështetja brenda demokratëve për kandidaturën e Kamala Harrisit. Bideni i ka dhënë mbështetje zëvendëspresidentes Harris që të jetë kandidate e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, por kjo do të caktohet gjatë Konventës Kombëtare të Partisë Demokratike që nis më 19 gusht

Zëvendëspresidentes Kamala Harris po i shtohet mbështetja brenda demokratëve për ta zëvendësuar Joe Bidenin si kandidat për president, pas tërheqjes së këtij të fundit nga gara të dielën në mbrëmje. 
Biden njoftoi për largimin e tij pas disa javësh përballje me presion brenda partisë për t’u tërhequr, pas debatit që pati me kundërkandidatin republikan, Donald Trump, në fund të qershorit.

Derisa Biden i dha mbështetje Harrisit për të qenë kandidate për presidente, ajo ka gjetur përkrahje edhe në mesin e figurave të larta të demokratëve. 

Mbështetjen Harrisit ia ka dhënë edhe Nancy Pelosi, ish-kryesuese e Dhomës së Përfaqësuesve, raporton agjencia “AP”. 

Po ashtu, mbështetje ka marrë të hënën edhe nga guvernatorët Wes Moore, Gretschen Whitmer, J.B. Pritzker dhe Andy Beshear. 

Më tepër se 700 delegatë i kanë thënë “AP” se planifikojnë të përkrahin Harrisin në Konventë.
Vetë Harris, në paraqitjen e saj të parë publike pas tërheqjes së Bidenit, ka thënë se “trashëgimia e Bidenit është e pakrahasueshme”. 

“Trashëgimia e Joe Bidenit gjatë tre vjetëve të fundit është e pakrahasueshme në historinë moderne”, tha Harris, gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, që u organizua për nderimin e atletëve amerikanë.
Ndërkohë, ndaj vendimit të Bidenit për t’i dhënë fund synimit për një mandat të dytë, kanë reaguar liderë të shumtë botërorë.

Kryeministri i ri britanik, Keir Starmer, tha se e respekton vendimin e presidentit.

“Qasja ime do të jetë të respektoj atë vendimmarrje dhe të jem i qartë se ne do të punojmë me këdo që populli amerikan do të zgjedhë, veçanërisht duke pasur parasysh natyrën e marrëdhënieve të veçanta midis dy vendeve tona”, ka deklaruar Starmer.

E kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili të hënën u nis për në Washington për një takim të planifikuar më parë me presidentin Biden, tha se Izraeli mbetet aleati i palëkundur i SHBA-së, pavarësisht se kush zgjidhet president. 

“Pavarësisht se kë zgjedh populli amerikan si presidentin e tyre të ardhshëm, Izraeli mbetet aleati i domosdoshëm dhe i fortë i Amerikës në Lindjen e Mesme", është shprehur Netanyahu. 

Në mesin e liderëve botërorë që kanë reaguar janë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, kryeministri australian, Anthony Albanese e të tjerë.
Joe Biden do të qëndrojë si president deri në janar të vitit 2025 derisa pritet t'i drejtohet kombit këtë javë.

Ndonëse Bideni e ka miratuar zëvendëspresidenten Kamala Harris që të jetë kandidate e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, kjo nuk do të thotë se ajo është kandidatja e supozuar e Partisë Demokratike, dhe një garë për këtë do të zhvillohet tani brenda demokratëve. 
Rruga për emërimin e një kandidati të ri aq afër ditës së zgjedhjeve mbetet ende e paqartë. Takimi i komitetit të rregullave të Konventës Kombëtare Demokratike (DNC), i cili do të përcaktojë kornizën se si partia do të zgjedhë kandidatin e saj të ri, pritet se do të ndodhë të mërkurën për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Në takimin e DNC-së, ku kandidati demokrat duhet të zgjidhet zyrtarisht nga delegatët, është planifikuar të fillojë më 19 gusht.

Bideni fitoi zgjedhjet paraprake, pa një sfidë serioze, duke marrë mbështetjen e 3,896 delegatëve.
Delegatët, të cilët janë zyrtarë partiakë që marrin pjesë në kuvend dhe votojnë për kandidatin për të cilin janë caktuar gjatë procesit primar, tani do të lirohen për të votuar për një kandidat tjetër.
Nëse partia nuk arrin konsensus për të mbështetur një kandidat të ri, kjo mund të krijojë skenën për një konventë të hapur për herë të parë që nga viti 1968.

Kjo do të thotë se delegatët do të jenë të lirë të vendosin se për kë do të votojnë mes shumë kandidatëve nëse ata paraqiten.