Botë

Harris me epërsi margjinale ndaj Trumpit në sondazhin e ri

Kamala Harris

Kamala Harris

Foto: Associated Press

Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka marrë një epërsi margjinale ndaj republikanit Donald Trump në garën presidenciale të SHBA-së, zbuloi një sondazh i ri i Reuters/Ipsos.

Harris ka mbërritur të martën në Wisconsin, për udhëtimin e saj të parë të fushatës si kandidate demokrate.

Harrisi udhëhoqi me 44% në raport me Trumpin i cili ka 42% të mbështetjes, në mesin e votuesve të regjistruar në sondazhin kombëtar, të kryer të hënën dhe të martën pasi presidenti, Joe Biden u largua nga gara të dielën dhe miratoi Harrisin si pasuesen e tij, raporton Reuters. 

Harris konsolidoi me shpejtësi mbështetjen e partisë së saj pasi Bideni, 81 vjeç, braktisi fushatën e rizgjedhjes nën presionin e anëtarëve të partisë së tij, të cilët shqetësoheshin për aftësinë e tij për të mposhtur Trumpin ose për të shërbyer për një mandat tjetër katërvjeçar.

Ajo ka arritur të fitojë mbështetjen nga shumica e delegatëve, të cilët në konventën e partisë muajin e ardhshëm do të përcaktojnë kandidatin, kanë bërë të ditur zyrtarë të fushatës së saj.

Shumica e ligjvënësve demokratë janë rreshtuar pas kandidaturës së saj, duke përfshirë udhëheqësit e partisë në Senat dhe Dhomë, Chuck Schumer dhe Hakeem Jeffries, të cilët mbështetën Harrisin të martën në një konferencë të përbashkët shtypi.

Një studim jozyrtar i delegatëve nga Associated Press zbuloi se Harrisi kishte më shumë se 2,500 delegatë, shumë më tepër se 1,976 që nevojiteshin për nominimin.