Botë

Harris e Walz mbajnë paraqitjen e parë të përbashkët si të nominuar nga demokratët

Kamala Harris - Tim Walz

Foto: Associated Press

Tim Walz ka thënë se Donald Trumpi do ta kthente SHBA-në prapa nëse rikthehet në postin e presidentit. 

Walz është shfaqur për herë të parë që kur është zgjedhur nga Kamala Harris si kandidat për postin e zëvendëspresidentit, raporton "BBC". Të dy janë shfaqur në një tubim të Partisë Demokratike në Philadelphia të martën. 

Në ngjarjen në Philadelphia, Walz ka thënë se rivalët e tyre republikanë në zgjedhjet e nëntorit “janë shumë të çuditshëm”. 

Walz, që është guvernator i Minnesotas, ka folur para mijëra mbështetësve vetëm disa orë pasi u zgjodh nga Harris si kandidat për postin e zëvendëspresidentit. 

Ndërkohë, ekipi i Trumpit e quajti Walzin “ekstremist të rrezikshëm liberal”. 

Walz 60-vjeçar po shihet si person që mund të rifitojë votuesit ruralë dhe ata të klasës punëtore për demokratët, të cilët kishin anuar nga Donald Trumpi në disa prej shteteve kyçe.

Në mitingun në Pennsylvania, Kamala Harris, zëvendëspresidentja aktuale e SHBA-së tha se ajo dhe Walz janë “outstajderët” në atë që pritet të jetë një garë e ngushtë elektorale, porse kanë marrë hovin. 

Ajo e ka prezantuar Walzin si një “luftëtar për klasën e mesme, një patriot”. 
Walz më pas foli për rrënjët e tij nga një qytet i vogël në Nebraska dhe karrierën e tij si ushtarak dhe mësues, përpara se të përpiqej të bënte një krahasim me Trumpin. 

“Ai nuk di gjënë elementare për shërbim – pasi është shumë i zënë duke i shërbyer vetes”, ka thënë Walz, ish-rreshter i ushtrisë dhe një trajner futboll. 

Ai mori duartrokitje edhe më të mëdha kur foli për dosjen penale të ish-presidentit Trump.