Fushata në SHBA është intensifikuar ditëve të fundit, teksa kanë mbetur më pak se dy javë deri në ditën e zgjedhjeve.
Kandidatët për president, Kamala Harris nga demokratët dhe Donald Trump nga republikanët, përveç kritikave ndaj njëri-tjetrit, kanë kaluar edhe në fyerje personale, raporton BBC.
Zëvendëspresidentja Harris, ka deklaruar së fundmi gjatë një ngjarje televizive se beson që Trumpi është “fashist”.
“Po, besoj. Unë gjithashtu besoj se njerëzit që e njohin më mirë atë në këtë temë duhet t'u besohet përsëri”, ka thënë Harris.
Vlerësimi i Harrisit për Donald Trumpin si një "fashist" e ka bazën te deklarata e John Kellyt, i cili ka shërbyer si shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë, dhe i cili së fundmi e ka quajtur ish-shefin e tij “një fashist”.
Në një intervistë për New York Times, Kelly ka thënë se Trumpi plotëson "përkufizimin e përgjithshëm të një fashisti", pasi sipas tij, Trumpi kishte deklaruar më shumë se një herë se "Hitleri bëri disa gjëra të mira".
Gjenerali Mark Milley, i cili shërbeu nën presidencën e Trumpit si kryetar i Shtabit të Përbashkët, ka bërë më parë akuza të ngjashme, duke e quajtur Trumpin "fashist deri në thelb".
"Askush nuk ka qenë ndonjëherë aq i rrezikshëm për këtë vend sa Donald Trump", ka deklaruar Milley.
Harris ka thënë po ashtu se Trumpi dëshiron “pushtet të pakontrolluar”, teksa i është referuar komenteve të ish-shefit të stafit të tij sa ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Kandidati republikan, Donald Trump i është përgjigjur deklaratave të Harrisit, duke thënë se ajo ka “mendje të deformuar” dhe se është “kërcënim për demokracinë”.
Me më pak se dy javë deri në zgjedhje, Harris dhe Trump vazhdojnë të kenë garë shumë të ngushtë.
Sipas sondazhit të fundit të Reuters/Ipsos, Harris kryeson me tri pikë të përqindjes në raport me Trumpin.
Në sondazh thuhet se Harris ka marrë 46% të mbështetjes në mesin e votuesve të mundshëm, ndërkaq Trumpi ka marrë 43% të mbështetjes.
Megjithatë, Trumpi vazhdon të konsiderohet nga votuesit si i duhuri për ringjalljen e ekonomisë amerikane, që shihet si problemi kryesor nga qytetarët aktualisht. Ai po ashtu shihet si i duhuri për emigracionin.
Ndërkaq Harris konsiderohet personi i duhur për ta luftuar ekstremizmin politik, për mbrojtjen e demokracisë, për abortin dhe politikat e kujdesit shëndetësor.
LEXO EDHE: