Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka thënë se shërbimi i saj nën presidencën e Joe Bidenit, ka qenë nderi më i madh në jetë, raporton "BBC".
Biden ka hequr dorë të dielën nga rikandidimi, ndërsa ka mbështetur Harrisin si kandidate nga radhët e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Harris ka marrë përkrahje të madhe nga demokratët. Duke folur në Wisconsin, ajo ka thënë se rruga drejt Shtëpisë së Bardhë shkon nëpërmjet këtij vendi.
“Na keni ndihmuar të fitonim në vitin 2020 dhe do të fitojmë në vitin 2024”, ka thënë Harris.
Për Bidenin ka thënë se trashëgimia e tij është “e pakrahasueshme në historinë moderne”.
“Ne jemi thellësisht mirënjohës për shërbimin e tij të vazhdueshëm ndaj kombit”, tha Harris.
Harris shtoi se do të kalojë javët e ardhshme duke vazhduar ta bashkojë partinë.
Harris ka thënë se ajo po drejton një fushtatë të fuqizuar nga njerëzit. Ajo ka sulmuar kandidatin republikan Donald Trump.
Ajo ka shtuar se synim i presidencës së saj është ndërtimi i klasës së mesme. Ajo ka përfunduar fjalimin duke thënë "kemi zgjedhje për të fituar".