Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris dhe kandidati i saj për zëvendëspresident, Tim Walz, do të paraqiten të enjten në mbrëmje në intervistën e tyre të parë të përbashkët televizive që kur pranuan nominimet.
Harris ka pranuar pyetjet nga gazetarët gjatë fushatës zgjedhore dhe po ashtu është intervistuar në TikTok ditët e fundit. Por ajo ende nuk ka bërë një intervistë kokë më kokë me një rrjet të madh mediatik apo të mbajë një konferencë zyrtare për shtyp që kur u emëruar kandidate e demokratëve, pasi presidenti Joe Biden hoqi dorë, më 21 korrik, raporton Reuters.
Dana Bash e CNN-it, e cila bashkëdrejtoi debatin e Bidenit më 27 qershor kundër kandidatit republikan, Donald Trump, do të drejtojë intervistën në Savannah, Georgia, ndërsa Harris po vazhdon turneun e saj me autobus në shtetin e fushëbetejës.
Intervista do të transmetohet në orën 21:00 me kohën lokale, derisa CNN-i ka paralajmëruar të publikojë fragmente të shkurtra përpara transmetimit të intervistës.
Përpara se Harris ta zgjidhte atë si kandidat për zgjedhjet e 5 nëntorit, Walz bëri një sërë intervistash me rrjetet kryesore televizive.
Harris dhe Walz filluan të martën një turne me autobus në Gjeorgji, në të cilin shkruan "Një rrugë e re përpara" ndërsa po punojnë për të joshur votuesit në një shtet që Bideni fitoi për pak në vitin 2020 dhe që mund të luajë një rol vendimtar në zgjedhjet e këtij viti.