Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mediat gjermane dhe zvicerane theksojnë se pa marrë parasysh kush do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë – Kamala Harris apo Donald Trump -, për Evropën asgjë nuk do të jetë si më parë. Pse?
“Süddeutsche Zeitung”, München
Evropa nuk ka ndonjë ndikim mbi atë se kë do të zgjedhin amerikanët për president (ose ndoshta, shpresojmë, për presidente). Por evropianët kanë padyshim ndikim mbi mënyrën se si do të përballen me një president si Trumpi. Kjo, kaq është e sigurt, nuk do të jetë as e lehtë dhe as e këndshme. Megjithatë, ajo që duhet theksuar paraprakisht është: zemërimi, protestat, shpërthimet e mllefit apo inati nuk janë reagime të përshtatshme. Edhe kërcënimi me divorc nuk çon askund dhe do ta përçante e dobësonte vetëm Evropën.
Çfarë duhet bërë pra? Ndoshta evropianët mund ta marrin tronditjen nga Trumpi si një rast dhe burim force për të zgjidhur disa probleme të brendshme, të cilat deri tani janë përshkruar vetëm në raporte voluminoze, por jo në realitet. E vështirë? Po. E pamundur? Jo domosdoshmërisht. BE-ja, gjatë pandemisë së Covid-it dhe pas sulmit rus ndaj Ukrainës, ka bërë me vendosmëri dhe qartësi disa gjëra të jashtëzakonshme, të cilat më parë konsideroheshin të paimagjinueshme, e lëre më të realizueshme. Por, siç duket, nuk kanë qenë të tilla.
“Tages Anzeiger”, Zürich
Amerikanët duhet të vendosin nëse duan t’ia besojnë vendin e tyre një politikaneje klasike. Kamala Harris ka një sfond multikulturor dhe përfaqëson kështu Shtetet e Bashkuara moderne; ajo do të ishte gjithashtu gruaja e parë në këtë post, një premierë historike. Por ajo është gjithashtu një politikane krejt normale me të mirat dhe të metat e saj, e etur për pushtet, pragmatike, ideologjikisht fleksibile. Jo Joe Bideni, por as shumë larg prej tij.
Ndërsa Donald Trumpi është një shkelës i rregullave, një “disruptor”, siç thuhet në zhargonin e biznesit të anglishtes së re. Ky reputacion magjeps shumë amerikanë, sepse ata në thelb nuk i besojnë shtetit. Dhe sepse politika për shumë njerëz ka dhënë rezultate të pamjaftueshme për dekada me radhë. Në një nga vendet më të pasura në botë, pabarazia midis më të pasurve dhe të gjithë të tjerëve po rritet. Ndërkohë, shoqëria po ndryshon me ritme të shpejta, përmes imigracionit, barazisë gjinore dhe ndryshimeve gjeopolitike.
Shumë amerikanë dyshojnë në ëndrrën amerikane. Donald Trumpi premton zgjidhje të thjeshta për këtë. Sa pak ky njeri i vlerëson institucionet demokratike, rregullat që mundësojnë bashkëjetesën në këtë vend të larmishëm dhe kompleks, mbështetësit e tij i lënë mënjanë. Ata, gjysma e popullsisë, nuk janë të gjithë të prekur nga racizmi dhe idetë fashistoide, të cilat janë pjesë e qëndrueshme të retorikës politike të Trumpit.
“Neue Zürcher Zeitung”, Zürich
Ajo që thotë dhe bën republikani (Donald Trump) është pjesë e një shfaqjeje të personalitetit aq të çakërdisur, saqë bëhet fascinante. Trump, Trump, Trump: Përkrah tij, të gjithë të tjerët duken si statistë. Pikërisht ky është rreziku më i madh. Njeriu priret ta mbivlerësojë këtë vetë-promovues që sfidon çdo konventë.
Megjithatë, Trump është vetëm një simptomë e ndryshimeve epokale. Thuhet se burrat bëjnë historinë – dhe natyrisht, edhe gratë. Por ata mund të forcojnë vetëm atë që është tashmë pjesë e epokës. Hitleri do të kishte mbetur një artist i dështuar po të kishte jetuar në një Gjermani të qëndrueshme dhe të prosperuar.
Sa shumë do ta ndryshonte botën një mandat i dytë i republikanit (Trump)? Kjo është pyetje e gabuar. Më e saktë do të ishte të mendonim se sa shumë ai mund ta përshpejtojë ndryshimin. Dhe balancat gjeopolitike po ndryshojnë në themel, gjë që ne e perceptojmë si një varg krizash.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Frankfurt
Kur Amerika (të martën) zgjedh presidentin, do të ndodhë diçka që shumë njerëz në Evropë nuk e konsideronin më të mundshme: Trump është përsëri në fletëvotim dhe ka një mundësi reale për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Harris ka një pozicion më të mirë në sondazhe se Biden, i cili (jo plotësisht me dëshirë) ia la asaj kandidaturën. Por Trump dhe Harris janë tani aq afër njëri-tjetrit, saqë nuk ka një favorit të qartë. Rreth gjysma e zgjedhësve amerikanë janë të gatshëm të votojnë përsëri për ish-presidentin.
Kjo kundërshton sidomos një perceptim që ishte i përhapur në Evropë pas fitores së parë të Trumpit në zgjedhjet e vitit 2016: se ky ishte disi një aksident politik në një vend që në thelb ende i ishte përkushtuar “vlerave liberale” aq të shumëpërmendura; një lëshim, i favorizuar nga interneti dhe përrallat e rreme të republikanit. Fitorja e Bidenit në vitin 2020 dukej se e mbështeste këtë interpretim. Si pothuajse gjithmonë, kur një demokrat është në pushtet në Uashington, në Evropë, veçanërisht në Gjermani, rizbulohen marrëdhëniet transatlantike; këtë herë, megjithatë, Putin ofroi ndihmë të konsiderueshme.
Në të vërtetë, Trumpi ishte një pararendës. Nëse rizgjidhet, ai do të kthehet në një botë politike që i është afruar ideve të tij. Kjo ndikon veçanërisht në Evropë. Partitë e djathta populiste kanë qenë gjithashtu në rritje këtu për vite me radhë, madje edhe në vendet e Evropës Perëndimore ato po fitojnë zgjedhje. Radikalizimi i vazhdueshëm i Trumpit është gjithashtu një fenomen i njohur në këto vende. Është formula e suksesit të AfD-së (partisë ekstremiste të së djathtës gjermane).
