Grupi militant palestinez, Hamas, ka thënë të premten se po e rishikon propozimin e përpiluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rikthyer armëpushimin në Rripin e Gazës, disa ditë pas operacioneve të reja ushtarake në ajër, tokë dhe det nga Izraeli mbi enklavën palestineze, raporton Reuters.
Zyrtarët izraelitë kanë bërë të ditur se synimi i sulmeve të fundit ushtarake është rritja e presionit mbi Hamasin për t’i liruar pengjet e mbetura në Gaza.
Plani i të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, i prezantuar javën e kaluar, ka për qëllim të shtyjë armëpushimin deri në muajin prill, për t’u lejuar më shumë hapësirë bisedimeve rreth një armëpushimi të përhershëm midis palëve.
Hamasi ka njoftuar se është ende duke debatuar për propozimin dhe idetë e Witkoffit, me qëllimin për të arritur marrëveshjen përfundimtare e cila përfshin lirimin e të burgosurve, fundin e luftës, si dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite prej Rripit të Gazës.