Botë

Hamasi publikon emrat e pengjeve izraelite që do të lirohen të shtunën

hamas

Grupi militant palestinez Hamas ka njoftuar të premten se do të lirojë babanë e pengjeve më të rinj të kapur në sulmin e tij të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit dhe dy të tjerë, përfshirë një shtetas amerikan, në shkëmbimin e ardhshëm të pengjeve për të burgosurit palestinezë, raporton Reuters.

Yarden Bibas, Keith Siegel dhe Ofer Kalderon do të dorëzohen të shtunën, ka deklaruar zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, Abu Obeida në një postim në kanalin e tij Telegram.

Yarden Bibas është babai i foshnjës Kfir, vetëm nëntë muajsh kur u rrëmbye, dhe Ariel, i cili ishte katër vjeç në kohën e sulmit.

Obeida nuk tha asnjë fjalë për fatin e fëmijëve Kfirit dhe Arielit, apo për nënën e tyre Shiri, e cila u mor në të njëjtën kohë. Hamasi bëri të ditur në fund të vitit 2023 se ata ishin vrarë nga bombardimet izraelite.

Keith Siegel, me nënshtetësi izraelite e amerikane, i cili u mor peng me gruan e tij Aviva, u pa në një video të publikuar nga Hamasi vitin e kaluar. Gruaja e tij u lirua në shkëmbimin e parë në nëntor 2023.

Në shkëmbimin e parë u liruan edhe dy fëmijët e Ofer Kalderonit, Erez dhe Sahar, të cilit ishin rrëmbyer përkrah tij.