Botë

Hamasi po pret përgjigjen e Izraelit lidhur me armëpushimin, thonë zyrtarët e grupit

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Hamasi është duke pritur një përgjigje nga Izraeli lidhur me propozimin e armëpushimit, kanë deklaruar të dielën dy zyrtarë palestinezë të grupit. 

Kjo vjen pak ditë pasi grupi ka pranuar një pjesë të rëndësishme të planit të synuar nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund luftimeve nëntë-mujore në Gaza, raporton The Guardian.

“Ne ia kemi lënë përgjigjen tonë ndërmjetësuesve dhe jemi duke pritur të marrim përgjigjen e okupuesit”, ka deklaruar për Reuters njëri nga dy zyrtarët e Hamasit, të cilët kanë kërkuar të mbesin të paidentifikuar.

Plani trefazësh është paraqitur në fund të majit nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe po ndërmjetësohet nga Katari dhe Egjipti. Ai synon t’i japë fund luftës dhe t’i lirojë rreth 120 pengje të cilët po mbahen ende nga Hamasi. 

Një zyrtar tjetër palestinez, me njohur në bisedimet e vazhdueshme të armëpushimit, ka thënë se Izraeli është në bisedime me Katarin lidhur me propozimin.

“Ata e kanë diskutuar me ta përgjigjen e Hamasit dhe premtojnë t’ua japin atyre një përgjigje brenda ditësh”, ka thënë zyrtari, i cili po ashtu ka kërkuar nga Reuters të mbetet anonim. 

Hamasi, i cili kontrollon Gazën, ka hequr dorë nga kërkesa kryesore që Izraeli së pari të angazhohet për një armëpushim të përhershëm përpara se të nënshkruajë një marrëveshje. Në vend të kësaj, grupi ka thënë se do të lejonte negociatat për ta arritur atë gjatë fazës së parë gjashtë-javore, sipas një burimi të Hamasit për Reuters të shtunën.

Një zyrtar palestinez i afërt me përpjekjet për paqe ka thënë se propozimi mund të çojë në një marrëveshje kornizë nëse përqafohet nga Izraeli, dhe do t'i japë fund luftës.

LEXO EDHE: