Grupi militant palestinez Hamas ka mirëpritur sulmin e Hezbollahut ndaj Izraelit, raporton “BBC”.
Hezbollahu ka lansuar qindra raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit.
Në një postim në rrjetin social “Telegram”, Hamasi e ka përshkruar operacionin si “një reagim të madh kualitativ” që “ka goditur shënjestrat jetike e strategjike” brenda Izraelit.
Grupi ka përgëzuar “reagimin e fortë dhe të përqendruar” ndaj vrasjes së komandantit të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr.
“Krimet kundër palestinezëve dhe libanezëve nuk do të kalojnë pa përgjigje”, ka thënë Hamasi.
Ndërkohë grupi militant libanez Hezbollah ka njoftuar se dy luftëtarë të tij kanë humbur jetën në sulmet izraelite të së dielës.
Ka thënë se Khader Moussa Sweid dhe Hamza Mohammed Zalghout kanë “rënë martirë”.