Zyrtarë të Hamasit kanë thënë se ua kanë dhënë ndërmjetësuesve të Katarit dhe Egjiptit përgjigjen e tyre për propozimin e armëpushimit në Gaza të mbështetur nga SHBA-ja, me disa “vërejtje” për planin.
Hamasi dhe grupi militant më i vogël, Xhihadi Islamik kanë deklaruar se janë gati për “diskutime pozitive për të arritur në një marrëveshje” dhe se prioritet i tyre është që të arrihet “një ndalim i plotë” i luftës, raporton AP.
Një zyrtar i lartë i Hamasit, Osama Hamdan i ka thënë televizionit libanez “Al-Mayadeen” se grupi "ua kishte dorëzuar ndërmjetësuesve disa vërejtje mbi propozimin". Ai nuk ka dhënë detaje të tjera.
Ministritë e Jashtme të Katarit dhe Egjiptit thanë në një deklaratë të përbashkët se po shqyrtojnë përgjigjen dhe se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre ndërmjetësuese së bashku me Shtetet e Bashkuara "derisa të arrihet një marrëveshje".
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë të martën se votimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në favor të një propozimi të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve e bëri "aq të qartë" se bota e mbështet planin. Ai përsëri i bëri thirrje Hamasit që ta pranojë atë.
“Vota e të gjithëve është e drejtë, përveç një votimi, dhe ky është Hamasi”, u ka thënë Blinkeni gazetarëve në Tel Aviv pas takimit me zyrtarët izraelitë. Ai ka shtuar se kryeministri Benjamin Netanyahu kishte riafirmuar angazhimin e tij ndaj propozimit kur u takuan të hënën vonë.
Hamasi mirëpriti njoftimin fillestar të Bidenit për planin, si dhe rezolutën e OKB-së që e miraton atë, por ende nuk ka dhënë përgjigjen e tij zyrtare. Blinkeni ka thënë se deklarata e Hamasit pas votimit në OKB ishte një "shenjë shpresëdhënëse", por se ndërmjetësit janë ende në pritje të fjalës nga udhëheqësit e grupit në Gaza.
Në një zhvillim të veçantë, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka thënë se forcat izraelite dhe militantët palestinezë mund të kenë kryer krime lufte gjatë sulmit vdekjeprurës izraelit që shpëtoi katër pengje gjatë fundjavës. Të paktën 274 palestinezë u vranë në operacion, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.