Botë

Hamasi i quan “të parëndësishme” ndryshimet që kërkoi në propozimin e armëpushimit

Lufta në Gaza

Lufta në Gaza

Foto: Associated Press

Ndryshimet që Hamasi ka kërkuar në propozimin e SHBA-së për armëpushim në Gaza “nuk janë të rëndësishme” dhe përfshijnë tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Rripi i Gazës, ka thënë për Reuters të enjten një udhëheqës i lartë i grupit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë të mërkurën se Hamasi ka propozuar “një numër ndryshimesh”, disa prej të cilave sipas tij janë të pazbatueshme, por ndërmjetësit kanë shprehur vullnetin që të mbyllin boshllëqet.

Sipas SHBA-së, Izraeli e ka pranuar propozimin, mirëpo Izraeli nuk e ka deklaruar këtë në mënyrë zyrtare. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë në mënyrë të vazhdueshme se Izraeli nuk do t’i japë fund luftës pa e eliminuar Hamasin.

Udhëheqësi i lartë i Hamasit ka thënë se grupi po kërkon që të zgjidhet një listë prej 100 palestinezësh me dënime të gjata për t'u liruar nga burgjet izraelite. Mirëpo izraeli kishte përjashtuar 100 të burgosur me dënime të gjata dhe lirime të kufizuara vetëm për të burgosurit me dënime më pak se 15 vjet të mbetura, sipas zyrtarit të Hamasit.

“Nuk ka ndryshime të rëndësishme që, sipas udhëheqjes së Hamasit, të bëhen kundërshtime”, ka deklaruar udhëheqësi i Hamasit.

Kërkesat e grupit përfshijnë gjithashtu rindërtimin e Gazës, heqjen e bllokadës, duke përfshirë hapjen e pikave kufitare, lejimin e lëvizjes së njerëzve dhe transportimin e mallrave pa kufizime”, ka shtuar ai. 

Negociatorët nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari janë përpjekur për muaj të tërë të ndërmjetësojnë një armëpushim në konflikt. 

Fuqitë e mëdha po intensifikojnë përpjekjet për të zbutur konfliktin pjesërisht për të parandaluar që ai të kthehet në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Luftimet në Gaza filluan më 7 tetor kur militantët e udhëhequr nga Hamasi shpërthyen përtej kufirit dhe vranë 1,200 izraelitë dhe morën më shumë se 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.

Lufta ajrore dhe tokësore e Izraelit që atëherë ka vrarë më shumë se 37,000 palestinezë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, ka zhvendosur shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës dhe ka shkatërruar banesat dhe infrastrukturën.

LEXO EDHE: