Hamasi pritet t'ia dorëzojë Izraelit emrat e katër pengjeve që do të lirohen të shtunën, sipas marrëveshjes së armëpushimit të Gazës.
Raportohet se do të jenë ushtare dhe civile, pra të gjitha gra.
Ato do të lirohen në këmbim të 180 të burgosurve palestinezë të mbajtur në Izrael.
Ky do të jetë shkëmbimi i dytë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të dielën e kaluar.
Tri pengje dhe 90 të burgosur u liruan në shkëmbimin e parë.
Armëpushimi ndaloi luftën që filloi kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, ku rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 u kthyen në Gaza si pengje, raporton BBC.
Më shumë se 47 mijë e 200 palestinezë, shumica civilë, janë vrarë në ofensivën e Izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e drejtuar nga Hamasi.
Hamasi pritet gjithashtu të japë informacion për 26 pengjet e mbetura që do të lirohen gjatë pesë javëve të ardhshme.
Këtu përfshihet edhe familja Bibas – dy prindër dhe dy fëmijë, njëri prej të cilëve, Kfir, ishte 10 muajsh kur u kap rob dhe është pengu më i vogël në moshë.
Izraeli ka këmbëngulur se askush që ishte i përfshirë në sulmet e 7 tetorit nuk do të lirohet.
Marrëveshja e armëpushimit u arrit pas muajsh negociatash indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, të udhëhequra nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti.
Armëpushimi do të zbatohet në tri faza, me fazën e dytë që do të fillojë gjashtë javë pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim.
Rreth 1900 të burgosur palestinezë do të lirohen gjatë fazës së parë në këmbim të 33 pengjeve.
Forcat izraelite gjithashtu do të fillojnë të tërhiqen nga pozicionet në Gaza dhe qindra mijëra palestinezë të zhvendosur do të jenë në gjendje të kthehen në zonat nga të cilat ishin detyruar të iknin.