Sipas kufijve të para 1967-ës

Hamasi do të çarmatosej nëse krijohet shteti palestinez, thotë zyrtari i lartë i tij

Khalil al-Hayya

Khalil al-Hayya

Foto: Associated Press

Zyrtari i lartë politik i Hamasit, Khalil al-Hayya i ka thënë Associated Press se grupi militant islamik është i gatshëm të bie dakord për një armëpushim prej pesë vjetësh ose më shumë me Izraelin, dhe se do të dorëzonte armët dhe do të shndërrohej në një parti politike nëse një shtet i pavarur palestinez krijohet sipas kufijve të vitit 1967.

Komentet e al-Hayya në një intervistë të mërkurën erdhën mes një ngërçi në muajt e fundit të bisedimeve të armëpushimit.

Deklarata e tij se Hamasi do të çarmatosej duket si një lëshim i rëndësishëm nga grupi militant i angazhuar zyrtarisht për shkatërrimin e Izraelit.

Por nuk ka gjasa që Izraeli ta konsiderojë një skenar të tillë. Ai është zotuar të shtypë Hamasin pas sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit që shkaktuan luftën, derisa udhëheqja e saj aktuale është me vendosmëri kundër krijimit të një shteti palestinez në tokat e pushtuara nga Izraeli, në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Gjatë intervistës, Al-Hayya, i cili ka përfaqësuar militantët palestinezë në negociatat për një armëpushim dhe shkëmbim pengjesh, kishte herë një ton sfidues dhe herë të tjera pajtues.

Duke folur për AP-në në Stamboll, Al-Hayya ka thënë se Hamasi dëshiron t'i bashkohet Organizatës për Çlirimin e Palestinës, të kryesuar nga fraksioni rival Fatah, për të formuar një qeveri të bashkuar për Gazën dhe Bregun Perëndimor. Ai ka thënë se Hamasi do të pranonte "një shtet plotësisht sovran palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës dhe kthimin e refugjatëve palestinezë në përputhje me rezolutat ndërkombëtare", përgjatë kufijve të Izraelit të para vitit 1967.

Nëse kjo ndodh, ka thënë ai, krahu ushtarak i grupit do të shpërbëhej.

“Në të gjitha përvojat e njerëzve që luftuan kundër pushtuesit, kur u pavarësuan dhe fituan të drejtat dhe shtetin e tyre, çfarë kanë bërë këto forca? Ato janë kthyer në parti politike dhe forcat e tyre luftarake mbrojtëse janë kthyer në ushtri kombëtare”, ka deklaruar al-Hayya.

Autoriteti Palestinez shpreson të krijojë një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, Jerusalemin lindor dhe Gaza – zona të pushtuara nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. 

Ndonëse komuniteti ndërkombëtar e mbështet në masë të madhe një zgjidhje të tillë me dy shtete, qeveria e ashpër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu e kundërshton atë.

Lufta në Gaza është zvarritur për gati shtatë muaj dhe negociatat për armëpushim kanë ngecur. Lufta filloi me sulmin vdekjeprurës të 7 tetorit në Izraelin jugor, në të cilin militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë. Militantët tërhoqën zvarrë rreth 250 pengje në enklavë. Bombardimet izraelite dhe ofensiva tokësore që pasuan në Gaza kanë lënë të vdekur shumë se 34,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, dhe kanë zhvendosur rreth 80% të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës.

Izraeli tani po përgatitet për një ofensivë në qytetin jugor të Rafahut, ku më shumë se 1 milion palestinezë janë zhvendosur.

Izraeli thotë se ka çmontuar shumicën e batalioneve fillestare të Hamasit që nga fillimi i luftës, por ato të mbetura janë të ngujuara në Rafah. Izraeli argumenton se një ofensivë në Rafah është e nevojshme për të arritur fitoren ndaj Hamasit.

Mirëpo, Al-Hayya ka thënë se një ofensivë e tillë nuk do të kishte sukses në shkatërrimin e Hamasit. 

“Forcat izraelite nuk kanë shkatërruar më shumë se 20% të aftësive të Hamasit, as njerëzore dhe as në terren. Nëse ata nuk mund ta përfundojnë Hamasin, cila është zgjidhja? Zgjidhja është të shkojmë në konsensus”, ka deklaruar ai.