Botë

Hakmarrja e Trumpit

Donald Trump

Ish-presidenti amerikan do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më i moshuar e me më pak frena në duar. Zgjedhja e tij e parë për president u pati cilësuar gabim i tmerrshëm dhe me pasoja. Por tani Amerika e ka zgjedhur edhe një herë president

(CNN/New Yorker) – Rikthimin politik e nisi kur shumica e bashkëpartiakëve synonin ta përzinin. 78-vjeçari Donald Trump e shpalli kandidimin e tretë për Shtëpinë e Bardhë, pak ditë pasi republikanët dështuan në zgjedhjet e mesmandatit të 2022-s, pikërisht shkaku i tij – pakënaqësisë për veprimet e 6 janarit në Capitol dhe për refuzimin që të tërhiqej nga jeta publike.

E Trumpi e drejtoi fajin diku tjetër – te sistemi i drejtësisë që ia bastisi pronat.

“S’kam dyshim që deri më 2024, fatkeqësisht do të jetë shumë më keq, dhe do të shohin qartë se çka ndodhi e çka po i ndodh shtetit tonë. E, votimi do të jetë krejt ndryshe”, do ta paralajmëronte ai rikthimin në shenjë hakmarrjeje për rrëzimin nga pushteti.

Mëngjesin e hershëm të 6 nëntorit, parashikimi iu materializua. Miliona amerikanë votuan për t’ia mundësuar rikthimin historik – atë që premton ta riformësojë politikën amerikane për të ardhmen e parashikueshme.

Fitorja e Trumpit, e përgatitur ndër vite, është e rëndësishme si për nga shkalla ashtu edhe për nga metoda e saj. Fushata e tij pati për cak ribërjen e koalicioneve tradicionale dhe iu afrua atyre zgjedhësve që tradicionalisht mbështesin demokratët: Sindikatat, punëtorët e thjeshtë dhe burrat me prejardhje afroamerikane e latine.

Njëkohësisht, i joshi të pavendosurit. Aleatët e tij e shfrytëzuan çarjen mes demokratëve dhe bazës së tyre të mbështetjes. Me kompani që i angazhoi, transmetoi reklama në radio për t’i nxitur votuesit arabë ta mbështesin kandidaten e Partisë së Gjelbër, Jill Stein, para atij demokrat, duke e përdorur kartën e konfliktit në Lindje të Mesme.

Në të njëjtën kohë, një koalicion i hebrenjve republikanë shpenzoi 15 milionë euro në targetimin e votuesve hebrenj të pasigurt për mbështetjen e administratës amerikane për Izraelin dhe nën ethet për protestat propalestineze të studentëve. U derdhën 15 milionë dollarë për t’i targetuar votuesit hebrenj.

E të dhënat sugjerojnë se ekipi i tij arriti më shumë seç pritej.

Përgatitja e menduar mirë që çoi në fitore

Njerëz të afërt me Trumpin ia atribuojnë fitoren një sërë faktorëve, jo veç fushatës që, qysh nga fillimi, dukej më e sofistikuar dhe e disiplinuar se dy parapraket. Ata argumentojnë se udhëheqja e fushatës nga veteranët Susie Wiles e Chris LaCivita ndihmoi të ngulitej një ndjenjë e kontrollit mbi kandidatin. Por përmasa e fitores së Trumpit flet për forca që punuan përtej manovrës së një fushate të vetme apo momenti specifik në garën e shoqëruar me shumë ngjarje të paparashikueshme, përfshirë tentimet e shumta ndaj jetës së Trumpit dhe tërheqjen e papritur të presidentit demokrat, Joe Biden.

Rezultati reflekton skenarin që Trumpi e pati parashikuar dy vjet më parë: Një publik amerikan i dërrmuar nga inflacioni, i frustruar nga vite të tëra keqmenaxhim me imigracionin dhe përfundimisht i gatshëm për t’u larguar nga partia në pushtet – ani se kjo nënkuptonte kthimin e ekzekutivit në duart e një ish-presidenti jopopullor e që dy herë iu nënshtrua impiçmentit, përpjekjet e dështuara të të cilit për të mbetur në detyrë përfunduan me trazira të përgjakshme në kryeqytet.

Për nënpresidenten Kamala Harris gara u dëshmua sfiduese, dhe përpjekja e saj për ta demonstruar gatishmërinë për ta marrë detyrën që Trumpi dikur e pati nuk mjaftoi për t’i bindur amerikanët.

Megjithëkëtë, skeptikët brenda Partisë Republikane patën dyshime nëse mjaftueshëm amerikanë do të vendosnin më për kthimin e Trumpit në krye të vendit. Ai i pati acaruar aleatët kur darkuar me një neonazist të njohur pak pas nisjes së fushatës dhe me kërcënimin e tij pasues ndaj Kushtetutës. Pasoi seria e akuzave federale e shtetërore për bizneset e tij, përpjekjes së dështuar për të mbetur në pushtet dhe për marrjen e dokumenteve zyrtare nga rezidenca. Përgjigjja e votuesit republikan qe pothuajse e menjëhershme. Secilën herë që një rasti i ri shfaqej, përcillej me valë donacionesh e përkrahjesh nga politikanë që dikur e braktisën.

Deri më 2023, Trumpi refuzoi të merrte pjesë në debate partiake, duke i lënë kundërshtarët të luftojnë mes vete për t’u treguar si alternativa.

Testi i parë qe Iowa. Fushata rekrutoi e trajnoi rreth 2000 vullnetarë. Secili pati një mision: Të marrë zotime nga 10 qytetarë që vonin për herë të parë. Më 15 janar Trumpi siguroi përkrahje nga 51 për qind e Iowas.

Marrja e rrezikut

Ekipi i Trumpit konstatoi qysh herët se ekonomia dhe ndërhyrjet e jashtme do ta diktonin orientimin e votës. Kësisoj, u premtoi libertarianëve pozita në kabinet, ndërsa për entuziastë të Bitcoinit e premtoi instalimin e një administrate pro-kriptovaluta. Në ndërkohë, u bëri premtime të mëdha grupeve kryesore financuese: Jo taksa për bakshishe punonjësve të sektorit të shërbimit në Nevada; jo taksa mbi pagat jashtë orarit jakëkaltërve; jo taksa të Sigurimit Social për të moshuarit. Pra, u mundua ta bindë akëcilin.

Dha, po ashtu, intervista për njerëz me ndikim – përfshirë komedianë e atletë.

E krejt kjo strategji u drejtua nga 27-vjeçari Alex Bruesewitz, që e bindi Trumpin se mund të depërtojë te miliona votues nëpërmjet këtyre paraqitjeve. Hapi edhe një llogari TikToku, ani se dikur pati kërcënuar ta mbyllte platformën kineze. I tejkaloi pritshmëritë e audiencës me fotografitë nga “McDonaldsi” dhe me ngasjen e një kamioni mbeturinash. Në fokus qe votuesi me prirje të ulëta.

Susie Wilesi dhe drejtori politik i ekipit të Trumpit, James Blair, e patën ndjekur këtë strategji edhe në fushatat në Florida, përfshirë në suksesin e Trumpit më 2020. Puna e tyre u përqendrua kryesisht në mbledhjen e fondeve nga grupe të jashtme. Falë qasjes u krijuan grupe të caktuara financuese me caqe të ndryshme – përfshirë atë PAC, të themeluar nga miliarderi Elon Musk, që në muajt e fundit derdhi miliona në mbështetje të Trumpit. Deri në fund të tetorit, grupi shpenzoi më se 140 milionë dollarë për Trumpin.

Falë kësaj mbështetjeje, vetëm në Arizona u siguruan vota nga mbi 125 mijë njerëz që zakonisht nuk votojnë – kjo ishte larg më e mirë sesa shifrat e Trumpit në zgjedhjet e para katër vjetëve.

Ndryshimi i fundit

Krejt në fund të fushatës, ekipi i Trumpit u përball me pasigurinë nëse muajt e tërë të punës do të përktheheshin në rezultatin e synuar. Shqetësimi lidhej me sjelljen e çrregullt të Trumpit – lodhja kronike e fjalimet e stërgjata para turmave. Tubimi veçanërisht kaotik në Madison Square Garden, i shoqëruar  nga komente ndezëse, rrezikoi t’ua rikujtonte votuesve pikërisht atë që këshilltarët e tij u munduan me shumë kujdes ta çrrënjosnin nga vëmendja. Shakaja fyese për Puerto-Ricon e një komediani e vuri fushatën politike të Trumpit në teh shpate, ngase të gjithë e dinin se sa fort kishin punuar për ta ndërtuar mbështetjen te komuniteti latin.

Teksa akrepat e orës po i afroheshin Ditës së Zgjedhjeve, Trumpi e aleatët iu mveshën aksionit të minutës së fundit në kërkim të votës së burrave. Por shqetësimet dolën të paarsyeshme. Trumpi fitoi në çdo demografi.

Nga fundi i janarit 2025, Trumpi do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë me bagazhin e premtimeve për përfundimin e shpejtë të luftërave, për tarifa të rënda ekonomike ndaj të tjerëve dhe për luftimin e imigrantëve.