Botë

Hakerët morën hak ndaj Kremlinit pas vdekjes së Navalnyt

Alexei Navalny, Rusia, Ukraina, Rusia

Alexei Navalny

Disa orë pasi vdiq lideri opozitar rus, Alexey Navalny në shkurt të 2024-s, një grup hakerësh u vënë në kërkim të hakmarrjes. Nëpërmjet qasjes në rrjetin kompjuterik të lidhur me sistemet e burgjeve ruse, hakerët vendosën fotografi të Navalnyt dhe mesazhe pro tij në uebfaqen e burgut.

“Rroftë Alexei Navalny” ishte mesazhi që shfaqej në ballinën e uebfaqes së burgut. CNN ka raportuar se hakerët kundër Kremlinit vodhën edhe një bazë të të dhënave që përmban informacione për qindra-mijëra të burgosur rusë, të afërm të tyre dhe kontakte që lidhen me të burgosurit që po mbaheshin në koloninë penale të Arktikut.

Hakerët, që u tha se janë nga kombësi të ndryshme duke përfshirë emigrantë rusë dhe ukrainas, po i ndajnë ato të dhëna, duke përfshirë numra telefoni dhe adresa emaili të të burgosurve me shpresën se mund t'i kontaktojë dhe të merret vesh se çka i ndodhi Navalnyt. Po ashtu, hakerët morën qasje edhe në bazën e sistemit online të burgjeve, ku anëtarët e familjeve blejnë ushqim për të burgosurit. Hakerët ua ulën çmimet produkteve bazë, në mënyrë që të burgosurit të kenë mundësi të blejnë më lirë.

Administratorit të dyqanit online të burgut iu deshën disa orë për ta kuptuar se produktet po bliheshin për pak qindarka, e veç disa ditë më vonë pati mundësi ta ndalonte këtë veprim.

“Po shikonim regjistrat e qasjes në dyqanin online dhe ai thjesht lëvizte shpejt e më shpejt e më shumë klientë bënin blerje”, ka deklaruar një haker për CNN, duke ndarë informacione për sulmin.

Më 19 shkurt, një ditë pasi hakerët morën “hakun” për Navalnyn duke vendosur fotografinë e tij në sistemet online  të burgjeve, Shërbimi Federal i Burgjeve të Rusisë tha se përjetoi një “gabim teknik” që çoi në uljen e çmimeve të ushqimeve.

Sulmin kibernetik e konfirmoi edhe Tom Hegel, ekspert i sigurisë kibernetike, duke thënë se shenjat në uebfaqet ruse dëshmojnë këtë.

Grupi i hakerëve u dërgoi mesazhi administratorëve të dyqanit online të burgjeve, duke i paralajmëruar ata që të mos i hiqnin mesazhet pro opozitarit rus që vdiq në burg. Kur ata refuzuan këtë, hakerët morën hak duke shkatërruar një prej serverëve të kompjuterit së administratorëve.

Sulmet e hakerëve në Rusi janë rritur që nga dita kur presidenti Vladimir Putin dha urdhrin për të kryer “operacionin special ushtarak” mbi Ukrainën.

“Sulmet e hakerëve janë shfaqur si mjet i fuqishëm për grupe të ndryshme për t'i shprehur pikëpamjet e tyre, për të grumbulluar kombet, për t'i shënjestruar kundërshtarët dhe për të tentuar të ndikojnë në rrjedhën e luftës”, ka thënë Hegel.