Botë

Grusht-shteti që lidhi në nyjë marrëdhënien me Kinën

Në vitet e fundit, Aung San Suu Kyi kishte anuar kah Pekini dhe kishte mbrojtur veprimet ushtarake ndaj minoritetit rohingya në Birmani. Kjo ka thelluar mosbesimin e liderëve ushtarakë, sidomos kur partia e tyre pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet e fundit

Birmani,  (AP) - Para grusht-shtetit të së hënës në Birmani, marrëdhëniet e vendit me Kinën veçse ishin mjaftueshëm të komplikuara nga investimet kineze në infrastrukturën e saj dhe fushatat ushtarake të Birmanisë përgjatë kufirit të përbashkët.

Me grusht-shtet u rrëzua liderja Aung San Suu Kyi, një vit pasi presidenti kinez, Xi Jingping, i shprehu përkrahje në vizitën e parë shtetërore nga Pekini në Birmani që prej vitit 2001. Në këtë vizitë u nënshkruan 33 marrëveshje për disa çështje.

Komandanti i ushtrisë, Min Aung Hliang, ka marrë drejtimin e Qeverisë së re në periudhën njëvjeçare të gjendjes emergjente.

Edhe nëse Kina nuk ka luajtur rol në dëbimin e Suu Kyi, Pekini do të luajë rol të madh në lëkundjen e shtetit, thonë analistët. Kjo do të ndodhë veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore vendosin sanksione si tentim për ta dënuar regjimin.

Duke reaguar ndaj situatës, Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara dënoi grusht-shtetin në Birmani dhe i bëri thirrje këshillit që të përkrahë demokracinë në shtet. Mirëpo, mbetet e paqartë nëse këshilli do të publikonte deklaratë që bënte thirrje për vendosje të demokracisë dhe të lironte të arrestuarit nga ushtria, sepse misionet e Kombeve të Bashkuara në Kinë dhe Rusi është dashur t’i dërgojnë komunikatat në kryeqytetet përkatëse për vlerësim.

Maturia e Kinës

Reagimi fillestar i Pekinit në lidhje me grusht-shtetin ishte i matur.

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Wang Wenbin, ka thënë se Kina po analizonte situatën, duke e cilësuar Birmaninë si “fqinje miqësore”. Ai i bëri thirrje shtetit që të menaxhojë situatën sipas ligjeve dhe Kushtetutës së saj, dhe ta ruajë stabilitetin politik e social.

Kina ka investuar miliarda dollarë në minierat, naftën dhe gazin e Birmanisë. Është partnerja e saj më e madhe. Derisa Partia Komuniste e Kinës u ka bërë favore regjimeve autoritare, ka një histori të brishtë me ushtrinë e Birmanisë. Shpesh kjo marrëdhënie ka nxitur fushata kundër minoritetit kinez dhe kontrabandës me drogë në krejt vijën malore përreth kufirit.

Ishte pjesërisht reagim ndaj dominimit në rritje i Kinës në ekonominë e Birmanisë një dekadë më parë që nxiti juntën e mëparshme të zhvendosej drejt reformave demokratike dhe qeverisë civile, që ia mundësuan Suu Kyi të bëhej pjesë e Parlamentit dhe de fakto të bëhej lidere e shtetit edhe pse ushtria e kishte fjalën e fundit.

Përplasjet me ushtrinë

Në vitet e fundit, Suu Kyi anoi kah Pekini dhe mbrojti veprimet ushtarake ndaj minoritetit rohingya në Birmani. Kjo ka thelluar mosbesimin e liderëve ushtarakë, sidomos kur partia e tyre pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet e fundit.

“Gjithmonë ekzistonte rreziku se ushtria do të ndërhynte për të shuar pushtetin e tyre”, ka thënë Champa Pate, drejtor i “Asia-Pacific Program” në Chatham House në Londër. “Pasiguria e tyre është thelluar kur Suu Kyi konsolidoi fuqinë e saj brenda shtetit dhe thelloi marrëdhëniet me shtetet si Kina”.

Grusht-shteti ndodhi vetëm tre javë pasi ministri i jashtëm kinez, Wang Yi, u takua me Suu Kyin dhe liderët ushtarakë në kryeqytetin Naypyitaw. Vizita cilësohej si përkrahje e fitores së partisë së Kyit në zgjedhjet e nëntorit. Kjo vizitë ishte sinjal se Pekini donte të përshpejtonte planet për projektet e nënshkruara një vit më parë.

Disa kanë spekuluar se Pekini në fshehtësi ka mundur t’i përkrahë gjeneralët.

Mirëpo, teksa grusht-shteti mund të shtyjë liderët e Birmanisë që të mbështeten më shumë te Kina, furnizueses më të madhe të armëve dhe një nga burimet më të mëdha të investimeve të huaja, studiuesi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Institutin e Shangait, Zhao Gancheng, thotë se ishte një përçarje e padëshiruar.

“Si një shtet fqinj, nuk mund të shoh asgjë të mirë për Kinën kur kemi parasysh që investimet e Kinës kanë nevojë për një ambient të qëndrueshëm. Kina është e shqetësuar me këtë”, thotë Gancheng.

Pa marrë parasysh se çfarë politika të brendshme, antagonizma dhe ambicie politike që mund ta kenë nxitur Min Aung Hliangun dhe liderët e tjerë që të kapin pushtetin, Kina pritet të vazhdojë të zgjerojë ndikimin në Birmani për shkak të projekteve të mëdha që janë në zhvillim dhe përfshirjen e thellë kineze në biznese që prej kazinove, fabrikave dhe zhvillimit të pronave e deri te tubat e gazit dhe porteve.

Gjatë javës së kaluar, konsorciumi kinez që po udhëheq projektin për portin në Kyaukphyu, në veriperëndim të vendit, filloi të kërkonte oferta për vlerësimet mjedisore të projektit. Një spirancë e “Belt and Road Initiative” e Kinës për të ndërtuar infrastrukturën në pjesën më të madhe të Azisë për të lidhur ekonominë e saj me pjesën tjetër të botës, i jepte Kinës hyrjen e shumëdëshiruar në Gjirin e Bengalit.

Image

Kina gjithkah

Kina është e angazhuar në projektet e minierave, hidroenergjisë dhe ndërtimtarisë. Më shumë se 21.5 miliardë dollarë ia ka ofruar për investimet në Birmani. Qeveria e Suu Kyi me qetësi po anonte kah këto projekte, të cilat morën kundërshtinë lokale.

“Kina ka interes strategjik që ta mbajë Birmaninë në gjendje sa më të qëndrueshme të mundshme. Është përparësi e Kinës që të cilësohet si shtet që duhet konsultuar”, ka thënë Chris Ankerson, profesor në “NYU School of Professional Studies Center for Global Affairs”.

Pas gati një dekade reformash dhe hapje graduale e ekonomisë së ngufatur të Birmanisë, bizneset e Shteteve të Bashkuara dhe të Perëndimit, kanë bërë pak investime, kryesisht me partnerët e tjerë aziatikë.

Qeveritë perëndimore tashmë kanë vënë sanksione ndaj Min Aung Hliang dhe liderëve ushtarakë, dhe bizneseve të tjera në lidhje me abuzimin e të drejtave të njeriut. Për këtë shkak, më shpesh u kanë bërë thirrje liderëve të Birmanisë që ta kthejnë rendin civil.

Ushtria mund të ketë vendosur, tek e fundit, që kostoja e sfidimit të opinionit publik nga Perëndimi duke organizuar një grusht-shtet, do të ishte më e madhe se konsideratat e brendshme – një vendosmëri për të lënë anash Suu Kyin, ka thënë Ankerson.

“Në të kaluarën, ushtria shpesh i është kundërpërgjigjur ndikimit në rritje të Kinës, duke shfaqur një pavarësi që kërkonte balancë ndaj ndikimit kinez”, ka theksuar Patel.

Mirëpo, gjeneralët kontrollojnë pjesën më të madhe të ekonomisë birmane dhe do të manovrojnë për të maksimizuar me çfarëdo që mund të marrin përmes përballjes me partnerët kinezë.

Min Aung Hliang është investitor i madh në “Myanma Economic Holdings PLC”, konglomerat i krijuar nga ushtria në vitin 1990 dhe që ka projektet kryesore me korporatat kineze.

“Kina do të ketë leverdi më të madhe që ta shtynte Birmaninë në orbitë të planeve të veta për zhvillimin ekonomik”, ka bërë të ditur John G. Dale, profesor në Universitetin George Mason në Virginia.

Japonia, Singapori dhe shtetet tjera që janë duke investuar në Birmani, me gjasa do të kundërshtojnë masat e vendosura ndaj regjimit ushtarak që sapo është krijuar, kanë pretenduar Gregory B Poling dhe Simon Tran Hudes nga “Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare” në Washington.

“Lojtarja kryesore e huaj në ekonominë e Birmanisë, Kina, do të jetë e lumtur për të ridrejtuar angazhimet e saj për të njohur faktet e reja në terren. Kjo do të zbutë çdo sanksion amerikan, që Min Aung Hlaing i ka hedhur poshtë menjëherë”, thuhet në një raport të këtij grupi.