Botë

Grupi Xhihadi Islamik Palestinez sulmon me raketa Izraelin

Grupi Xhihadi Islamik Palestinez

Grupi Xhihadi Islamik Palestinez ka lëshuar një breshëri me raketa në Izrael të hënën, teksa tanket izraelite vazhdojnë të avancojnë më thellë në Gaza në mes të luftimeve të ashpra, kanë thënë banorët dhe zyrtarët. 

Krahu i armatosur i Xhihadit Islamik, aleat i Hamasit i përkrahur nga Irani, ka thënë se luftëtarët e tij kanë lëshuar raketa drejt disa vendbanimeve izraelite afër kufirit me Gazën, si kundërpërgjigje ndaj “krimeve të armikut zionist kundër njerëzve tanë palestinezë”.

Sipas ushtrisë izraelite, breshëria e rreth 20 raketave nuk ka shkaktuar viktima. Por kjo ka treguar se militantët kanë akoma aftësi për të hedhur raketa, pas gati nëntë muajsh të ofensivës izraelite, raporton Reuters.

Në disa pjesë të Gazës, militantët vazhdojnë të kryejnë sulme kundër forcave izraelite, në zonat prej nga është larguar ushtria muaj më parë.

Të hënën, tanket izraelite kanë avancuar në periferinë e Shejaias në lindje të qytetit të Gazës, gjithashtu edhe në Rafahun perëndimor dhe qendror, sipas banorëve.

Ushtria izraelite ka thënë se ka vrarë një numër të militantëve në luftime në Shejaia dhe se ka gjetur sasi të mëdha të armëve atje.