Botë

Grupet ruse me bazë në Ukrainë pretendojnë se janë futur në Rusi e po i luftojnë forcat ruse

“Si të gjithë bashkëqytetarët tanë, në legjionin tonë ne ëndërrojmë për një Rusi të çliruar nga diktatura e Putinit. Por, ne nuk është se veç ëndërrojmë: ne bëjmë çdo përpjekje për t’i realizuar këto ëndrra. Ne do t’ia heqim tokës sonë regjimin, centimetër pas centimetri”, dëgjohet të thotë një ushtar i armatosur i FRL-së.

Tri grupe paraushtarake ruse me bazë në Ukrainë thonë se janë futur në Rusi dhe tani po luftojnë me trupat qeveritare ruse.

Legjioni i Lirisë së Rusisë (FRL) dhe Batalioni Siberian (SB) postuan video që supozohet se shfaqnin luftëtarët e tyre në rajonet Belgorod dhe Kursk të Rusisë.

FRL-ja dhe një politikan rus në mërgim pretenduan se dy fshatra tani ishin nën kontrollin e “forcave çlirimtare”.

Ministria ruse e mbrojtjes ka njoftuar se përpjekjet për përparim u penguan.

Ushtria e Ukrainës mohoi çdo përfshirje në bastisjet ndërkufitare të së martës. Andriy Yusov, zëdhënës i inteligjencës ushtarake të vendit, ka theksuar se grupet paraushtarake ishin “organizata të pavarura” të shtetasve rusë, dhe për këtë arsye vepronin “në vendlindje”.

Në një zhvillim tjetër, Rusia ka njoftuar se Ukraina lëshoi 25 dronë në objektiva anembanë Rusisë, por sulmi u pengua.

Megjithatë, janë shfaqur video të cilat duket se tregojnë disa objekte ruse të naftës të përfshira nga zjarri.

Në rajonin e Ivanovos, në lindje të Moskës, një aeroplan transportues ushtarak Il-76 me tetë anëtarë të ekuipazhit dhe shtatë udhëtarë u rrëzua menjëherë pas ngritjes, citohet të ketë thënë Ministria ruse e Mbrojtjes nga agjencitë shtetërore ruse të lajmeve.

Ministria njoftoi se një zjarr në motor shkaktoi përplasjen. Nuk dha detaje për të mbijetuarit.

Janë shfaqur video që supozohet se tregojnë aeroplanin në zjarr duke u rrotulluar në qiell, dhe më vonë shtëllunga tymi të zi nga vendi i përplasjes.

Një pushtim i plotë i Ukrainës i nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin, është tani në vitin e tretë. S’ka ndonjë sinjal se lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore mund të përfundojë së shpejti.

Të martën, FRL-ja postoi atë që tha se ishte një video nga kufiri ruso-ukrainas.

“Si të gjithë bashkëqytetarët tanë, në legjionin tonë ne ëndërrojmë për një Rusi të çliruar nga diktatura e Putinit. Por, ne nuk është se veç ëndërrojmë: ne bëjmë çdo përpjekje për t’i realizuar këto ëndrra. Ne do t’ia heqim tokës sonë regjimin, centimetër pas centimetri”, dëgjohet të thotë një ushtar i armatosur i FRL-së.

Ndërkohë, SB-ja ka theksuar se “luftimet e ashpra po zhvillohen në territorin e Federatës Ruse”, duke publikuar një video që supozohet se tregon luftëtarët e saj duke u përballur me forcat qeveritare ruse.

SB-ja dënoi gjithashtu zgjedhjet presidenciale ruse më 15-17 mars, në të cilat Putin pritet gjerësisht të shpallet fitues.

“Fletëvotimet dhe qendrat e votimit në këtë rast janë trillime. Ju vërtet mund ta ndryshoni jetën tuaj, për mirë, vetëm me armë në duar”, ka theksuar Batalioni Siberian.

Një tjetër grup rus me bazë në Ukrainë, “Trupat Vullnetare Ruse”- (RDK), publikoi gjithashtu pamjet e atyre që tha se ishin luftëtarët e tij që përballeshin me trupat qeveritare ruse.

“Ushtria e regjimit të Kremlinit i lëshon armët pa e nisur as betejën”, thekson grupi.

Videot nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Fshati kufitar Tetkino në rajonin e Kurskut dukej të ishte një nga objektivat në bastisjet e së martës, me FRL-në që pretendonte se “forcat çlirimtare” tani kishin kontroll të plotë mbi vendbanimin.

BBC-ja ka verifikuar vërtetësinë e pamjeve të FRL-së, që përshkruan një sulm në një transportues të blinduar të personelit në Tetkino.

Kryetari i Bashkisë së Kurskut, Igor Kutsak, urdhëroi që të gjitha shkollat në kryeqytetin rajonal të mbajnë mësim në distancë nga 13 deri më 15 mars, për shkak të ngjarjeve të fundit.

Ai paralajmëroi gjithashtu se gjendja e gatishmëris nga sulmet me raketa është ende në fuqi në qytet, i cili ka një popullsi prej më shumë se 400 mijë banorësh.

Më herët të martën, politikani rus i opozitës me bazë në Ukrainë, Illya Ponomarev, pretendoi se fshati kufitar Lozovaya Rudka, rajoni i Belgorodit, ishte “nën kontrollin e plotë të forcave çlirimtare”.

Në një deklaratë më vonë të martën, Ministria ruse e Mbrojtjes ka theksuar se forcat e saja, së bashku me rojat kufitare dhe njësitë e shërbimit të sigurisë FSB “kanë penguar një përpjekje të regjimit të Kievit për të bërë një përparim” në Rusi.

Ministria ka shtuar se luftëtarët e armikut - të mbështetur nga tanke dhe transportues të personelit të blinduar - ishin përpjekur ta pushtonin Rusinë “njëkohësisht në tri drejtime në zonat e vendbanimeve Odnorobovka, Nekhoteevka dhe Spodaryushino, rajoni Belgorod”.

Ministria ka treguar se katër sulme të tjera kishin shënjestruar Tetkinon, por ishin “zmbrapsur”.

Grupet e armatosura ruse me bazë në Ukrainë kanë kryer disa bastisje ndërkufitare që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës.

Majin e kaluar, ushtria ruse njoftoi se një sulm i ngjashëm në rajonin e Belgorodit u zmbraps dhe kryengritësit e armatosur u mundën.