Botë

Grupe të përkrahura nga Rusia synojnë uzurpimin e objekteve qeveritare të Moldavisë

Moldavia

Një zyrtar i lartë i policisë moldave ka dhënë alarmin se grupe kriminale, të mbështetura nga Rusia, synojnë prishjen e rendit, me anë të përpjekjes për të uzurpuar objekte qeveritare, në prag të zgjedhjet presidenciale në Moldavi, shkruan Reuters.

Përgatitjet për zgjedhjet e 20 tetorit, në të cilat presidentja pro-evropiane, Maia Sandu, e synon edhe një mandat, janë përcjellë me tensione. Kjo pasi votimet do të mbahen paralel me referendumin për ta kërkuar anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilin disa zyrtarë qeveritarë kanë akuzuar grupet pro-Kremlinit se po u ofrojnë para votuesve në këmbim të votës kundër.

Shefi i policisë kombëtare, Viorel Cernauteanu, tha se rastet e vandalëve që hodhën bojë në objektet publike muajin e shkuar janë sinjal i akteve më serioze që mund të pasojnë.

Ai tha se qëllimi i këtyre grupeve nuk është vetëm destabilizimi i situatës, por uzurpimi i institucioneve shtetërore.

Agjencitë moldave të zbatimit të ligjit muajin e shkuar arrestuan dy të rinj pas incidenteve të hedhjes së bojës në objekte. Ata thanë se të arrestuarit janë pjesë e një grupi prej 20 vetash që është trajnuar në Moskë. E një gjykatë në Moldavi i dënoi me burgim shtatë persona gjatë kësaj jave.