Rreth 300 fluturime të planifikuara për t'u ngritur dhe ulur në aeroportin e Brandenburgut në Berlin të mërkurën u anuluan. Është hera e parë që nga viti 2018 që një grevë e punëtorëve ka sjellë kaq shumë anulime fluturimesh, raporton DW.
Të gjitha fluturimet në aeroportin e Brandenburgut që ishin planifikuar për të mërkurën ose u anuluan ose u shtynë për shkak të grevës së punëtorëve.
Rreth 300 fluturime ishin planifikuar të ngriheshin ose uleshin në aeroportin e Berlinit sot.
Rreth 35 mijë pasagjerë u preken nga greva.
“Në këtë situatë, kompania e aeroportit duhet të supozojë se fluturimet e rregullta të pasagjerëve nuk mund të operohen në Berlin sot”, ka thënë zëdhënësi i aeroportit për Reuters.
Greva e planifikuar e punëtorëve filloi të mërkurën në orën 3:30 të mëngjesit me orën lokale dhe do të zgjasë deri në fund të ditës.
Ndërsa linjat ajrore riplanifikuan disa fluturime për të enjten dhe devijuan të tjerat në aeroporte si Dresden dhe Leipzig, shumë pasagjerë iu desh t'i drejtoheshin udhëtimit hekurudhor.
Greva e punëtorëve organizohet nga sindikata Verdi për shkak të pagave shumë të ulëta.
Sindikata po kërkon një rritje mujore prej 500 eurosh për punonjësit e aeroportit dhe punonjësit e transportit tokësor sipas një marrëveshjeje kolektive 12-mujore.