Parlamenti i Greqisë ka zgjedhur të mërkurën ish-kryetarin e tij, Constantine Tassoulas, si president të vendit, duke miratuar kandidatin e qeverisë konservatore për rolin kryesisht ceremonial.
Vendimi për ta emëruar atë ka zemëruar protestuesit që u mblodhën jashtë parlamentit muajin e kaluar duke kërkuar drejtësi për një aksident treni vdekjeprurës në vitin 2023. Ata thonë se në kohën e Tassoulas si kryetar i parlamentit, ligjvënësit nuk arritën të hetonin asnjë përgjegjësi politike mbi katastrofën më të rëndë hekurudhore të Greqisë, raporton Reuters.
Dy vjet më vonë, një hetim gjyqësor është ende në proces, teksa parlamenti është i vetmi organ që mund të hetojë politikanët sipas ligjit grek.
Tassoulas, 66 vjeç, një avokat dhe baba i dy fëmijëve, i cili ka qenë ligjvënës që nga viti 2000 dhe ka shërbyer më parë si ministër i Kulturës dhe zëvendësministër i Mbrojtjes i Greqisë, fitoi mbështetjen e 160 ligjvënësve në votimin e së mërkurës në parlamentin prej 300 vendesh.
Ai do të pasojë Katerina Sakellaropoulou, presidentja e parë femër e Greqisë, mandati pesëvjeçar i së cilës skadon në mars.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka thënë muajin e kaluar se ai ka zgjedhur Tassoulas për shkak të përvojës së tij politike, pranimit të gjerë dhe "shpirtit të tij bashkues".
Analistët politikë e shohin emërimin e Tasoulas si synim për të forcuar kontrollin e Mitsotakis në pushtet.