Botë

Grenelli kthehet nga Venezuela me gjashtë amerikanë që ishin të burgosur atje

Lirohen gjashtë amerikanë që mbaheshin në Venezuelë pas vizitës së Grenellit

Gjashtë amerikanë të cilët ishin arrestuar në Venezuelë janë rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar presidenti Donald Trump të premten, pasi i dërguari special i tij, Richard Grenell, ishte takuar me presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, raporton “CNN”. 

Zyrtarët e SHBA-së nuk kanë dhënë detaje për 6 të liruarit, por Grenell ka postuar një fotografi bashkë me të liruarit në rrjetin social X. 

Në postimin e Grenellit shfaqen katër nga të liruarit me rroba të kaltërta që zakonisht mbahen nga të burgosurit në Venezuelë. 

Maduro ka filluar mandatin e tretë, por “fitorja” e tij kontestohet nga opozita vendase, e cila ka publikuar rezultatet e mijërave qendrave të votimit dhe ka sugjeruar se kandidati i tyre, Edmundo Gonzalez, i ka fituar zgjedhjet e korrikut të kaluar. Pretendimet e tyre u mbështetën nga mbikëqyrës të pavarur si Carter Center dhe misioni elektoral i Kolumbisë. 

SHBA-ja, Bashkimi Evropian, Britania dhe Kanadaja nuk e njohin Maduron si udhëheqësin legjitim të Venezuelës.