Botë

Gratë keniane: Ushtarët britanikë na përdhunuan dhe i braktisën fëmijët e tyre

Avokati Kelvin Kubai

Avokati Kelvin Kubai me gratë që i kanë akuzuar ushtarët për përdhunim Foto: CNN

Në vendin e Afrikës lindore, ka një grup të madh të fëmijëve me racë të përzier, të cilët nuk i njohin baballarët e tyre. E sipas nënave, baballarët kanë qenë ushtarë britanikë që stërviteshin në vend. Por fëmijët nuk janë produkt i dashurisë. Gratë keniane pretendojnë se janë përdhunuar. Këto pretendime datojnë që nga vitet e ’50-a deri në të 2000-at dhe deri vonë janë ankuar në gjyq për padrejtësinë dhe abuzimin e kryer mbi to. E tash, siç duket, zëri i tyre ka filluar të dëgjohet.

Marian Pannalossy, 17-vjeçare, tërheq vëmendje sa herë që shkon në Archer’s Post, vendbanim i vogël 200 milje në veri të Nairobit. Ajo ka jetuar vetëm dhe ka lëkurë të çelët në një vend ku njerëzit me racë të përzier janë të rrallë e kështu edhe të izoluar.

“Ata më quajnë ‘mzungu maskini’, ose vajzë e bardhë dhe e gjorë”, ka thënë ajo, në shtëpinë me një dhomë, me zërin që i dridhej. “Ata gjithmonë thonë ‘Pse je këtu? Vetëm gjej lidhjet që të mund të shkosh te njerëzit e tu. Ti nuk e ke vendin këtu. Nuk supozohet të jesh këtu duke vuajtur”.

Mariani beson se babai i saj ka qenë ushtar britanik, por ajo nuk e ka takuar asnjëherë atë. Ajo as nuk e di emrin e tij.

Mariani është në mesin e një grupi të fëmijëve me racë të përzier, për të cilët nënat thonë se janë ngjizur pasi ato janë përdhunuar nga ushtarët britanikë që stërviteshin në Kenia. Nëna e saj, Lydia Juma, ka qenë në mesin e qindra grave keniane, që kanë parashtruar ankesa për ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve, siç është dokumentuar nga një grup kenian i të drejtave të njeriut.

“Nuk e di pse Zoti është duke më ndëshkuar. Nuk e kuptoj”, ka thënë Juma e përlotur gjatë një fjalimi të fuqishëm në dokumentarin e vitit 2011 me titull ‘Përdhunimi i Grave Samburu’.

Mariani, 4-vjeçare atëherë, ka qenë e ulur në prehrin e saj, ndonjëherë duke e përqafuar nënën teksa ajo ka vajtuar dhe treguar se si është dhunuar, si dhe për vuajtjet që i ka kaluar që atëherë.

I dashuri i Jumas, me të cilin ajo ka pasur dy fëmijë të tjerë më të mëdhenj, është larguar pasi ajo e ka lindur Marianin, fëmijë me racë të përzier, meqë përdhunimi është tabu në kulturën e tyre. “Në momentin që e ka parë se fëmija i tij ishte ‘i bardhë’, ai ka shkuar dhe është larguar përgjithmonë”, ka thënë ajo në filmin dokumentar.

Juma ka vdekur dy vjet pas asaj interviste, pa e gjetur kurrë burrin që ka thënë se e ka përdhunuar.

Fëmijët me racë të përzier vazhdojnë të lindin në fshatrat e largëta, ku Ushtria Britanike i trajnon ushtarët e vet në Kenia. Njësia e Trajnimit të Ushtrisë Britanike në Kenia (BATUK), e ka selinë në qytetin Nanyuki, rreth 70 milje në jugperëndim të Archer's Post.

BATUK-u për momentin është nën hetim nga komiteti i Mbrojtjes, Inteligjencës dhe Marrëdhënieve të Huaja të Asamblesë Kombëtare të Kenias.

Asambleja ka mbajtur seanca dëgjimore publike nëpër zona të ndryshme ku trajnohen trupat britanikë dhe ka dëgjuar një sërë ankesash për abuzim, shfrytëzimit dhe dhunë seksuale nga komunitetet rreth tyre.

Sipas planit, në përfundim të punës së saj në fund të këtij muaji, Asambleja ka për synim të dëgjojë zyrtarët e BATUK-t dhe Komisionarin e Lartë Britanik në Kenia. 

Një nga akuzat më të diskutueshme kundër ushtarëve britanikë e përfshin rastin e Agnes Wanjiru.

Wanjiru, një grua 21-vjeçare keniane, është zhdukur në vitin 2012 pasi është futur në një hotel me ushtarë britanikë, sipas raportimeve.

Marian Pannalossy, në shtëpinë e saj Foto: CNN

Trupi i saj është gjetur më vonë në një gropë septike. Pavarësisht një hetimi kenian që e ka vendosur vdekjen e saj si vrasje dhe ka identifikuar të dyshuarin e raportuar, nga shokët e tij ushtarë, ushtari britanik që dyshohet se ka qenë i përfshirë nuk është përballur me akuzat.

Familja e Wanjirusë beson se zyrtarët britanikë janë indiferentë ndaj rastit të saj dhe i janë lutur mbretit për ndihmë gjatë vizitës së tij në Kenia.

Një zëdhënës i Komisionit të Lartë Britanik ka thënë se i merr seriozisht të gjitha akuzat e ngritura nga komuniteti dhe se do të sigurojë hetime të plota.

“I gjithë aktiviteti seksual që e përfshin abuzimin, duke e përfshirë pagesën për marrëdhënie seksuale, si në Mbretëri të Bashkuar ashtu edhe jashtë vendit, është i ndaluar”, ka thënë Komisioni i Lartë Britanik, në emër të BATUK-ut, në një deklaratë. “Ne jemi të vendosur për ta parandaluar shfrytëzimin seksual dhe kemi mbajtur përgjegjës çdo anëtar personeli të shërbimit që është gjetur se është i përfshirë”.

‘Djemtë britanikë që sillen keq’

Britania e paguan Kenian rreth 400 mijë dollarë në vit, për t’i lejuar ushtarët e saj të trajnohen në vendin e Afrikës lindore, kryesisht në zonat e gjera për ruajtjen e kafshëve të egra në qarqet Laikipia dhe Samburu.

Kenia e ka rinovuar paktin e mbrojtjes në vitin 2021 pavarësisht opozitës së fortë lokale. BATUK-u ka bazë për trajnim të përhershëm në Nanyuki, në jug të këtyre zonave për kafshët e egra, me 100 anëtar stafi me orar të plotë.

Ntoyie Lenkanan nën hijen e pemës Foto: CNN

Puna e Komitetit të Mbrojtjes, Inteligjencës dhe Marrëdhënieve me Jashtë e ka rinovuar kontrollin mbi operacionet e Ushtrisë Britanike në Kenia dhe e ka sjellë sërish vëmendjen te rastet e grave që i kanë akuzuar ushtarët për përdhunim gjatë disa dekadave.

Pretendimet për përdhunim dhe krime të tjera, përfshirë vrasjen, nga ushtarët britanikë të vendosur atje datojnë që nga vitet 1950.

“Kjo për ne është shembull i djemve britanikë që sillen keq”, ka thënë Marion Mutugi, komisionare në Komisionin Kombëtar Kenian për të Drejtat e Njeriut. “Kjo është çështje e kujdesit për të pambrojturit e shoqërisë sonë, për të cilët kushtetuta jonë thotë se kërkojnë mbrojtje të veçantë.”

Ajo është duke iu referuar qindra grave nga komunitetet kryesisht baritore Maasai dhe Samburu, të cilat e kanë akuzuar Ushtrinë Britanike për përdhunime në vitet e ’70-ta dhe ’80-ta.

Ato janë përfaqësuar nga avokati britanik Martyn Day, në një çështje civile në Londër në fillim të viteve 2000.

Ntoyie Lenkanan, 72-vjeçare, ka qenë në mesin e akuzueseve në rastin britanik.

Gati dyzet vjet më vonë, zëri i saj dridhet nga emocionet dhe zemërimi që mezi e kontrollon, teksa ajo e kujton ngjarjen.

“Kam shkuar të marr ujë kur jam rrethuar nga një grup i ushtarëve britanikë, që ishin të fshehur në barin afër lumit. Një prej tyre më kapi dhe më përdhunoi”, ka thënë ajo nga shtëpia në DolDol, rreth 35 milje në veri të Nanyukit.

Ajo ka pritur për vite të tëra për një njohje zyrtare të shkeljes si dhe dëmshpërblimin, por asnjëra nuk ka ardhur.

Disa milje nga shtëpia e Lenkananas në tokat e thara e pak të populluara të DolDolit, Saitet Noltwalal që është në të 70-tat, rri e ulur nën një pemë. Ajo është e verbër dhe e dobët, e varur nga familja e saj për gjithçka.

Ajo, gjithashtu, thotë se është përdhunuar nga një ushtar britanik në një kodër afër shtëpisë së saj disa dekada më parë, por ajo nuk e mban mend datën ekzakte.

“Kam pritur për një kohë të gjatë dhe nuk mund të kujdesem më për veten. Nuk dua që ajo që më ka ndodhur mua t’i ndodhë dikujt tjetër”, ka thënë ajo.

Kualiteti i jetës së saj është dëmtuar pas përdhunimit, pasi ajo e ka abortuar fëmijën dhe e ka humbur shikimin e saj pak pas kësaj, ka thënë ajo. Disa nga bashkëmoshataret e saj, që e kanë akuzuar Ushtrinë Britanike për dhunë seksuale, kanë vdekur duke pritur drejtësinë.

Në vitin 2007, ministria e Mbrojtjes britanike i ka hedhur poshtë pretendimet për përdhunim të 2187 grave, Lenkanani dhe Noltwalali në mesin e tyre, duke thënë “se nuk ka prova të besueshme për t’i mbështetur këto pretendime”.

Një hetim i asaj kohe nga Policia Ushtarake Mbretërore ka arritur në përfundimin se shumica e provave keniane duken se janë të fabrikuara.

Hetuesit britanikë nuk kanë kryer teste me ADN në asnjërin nga 69 fëmijët me racë të përzier, që pretendohet se kanë lindur nga përdhunimi prej ushtarëve britanikë.

Disa nga gratë kanë dëshmuar në vitin 2009, se ishin pre e ushtarëve britanikë ndërsa kanë qenë duke i kryer punët e tyre ditore, në Komisionin e të Vërtetës, Drejtësisë dhe Pajtimit të Kenias, i themeluar në vitin 2008 për t’i dëgjuar viktimat e padrejtësive që kanë ndodhur nga  viti 1963 deri në vitin 2008, duke i përfshirë konfliktet etnike dhe dhunën politike në mesin e të tjerëve.

Dhe Komisioni i të Vërtetës, Drejtësisë dhe Pajtimit të Kenias pretendon se qeveria në Nairobi e ka humbur dosjen e çështjes, pa shpjegime.

“Pretendimi më i tmerrshëm i përdhunimit thuhet të ketë ndodhur në tetor të vitit 1997 në Ancher’s Point, ku 30 gra janë përdhunuar në grup nga ushtarët britanikë, shpesh të kërcënuara me thika dhe ndonjëherë edhe brenda kasolleve të vet viktimave”, thuhet në raportin e vitit 2009.

Një ditë e re në gjyq

Ushtarët britanikë tani mund të paditen në gjyqin kenian për çdo vepër të gabuar, sipas një pjese të re të paktit të mbrojtjes të vitit 2021, të nënshkruar nga dy vendet. Kjo do të thotë se më në fund shumë nga këto gra mund ta qojnë rastin e tyre në gjyq.

Generica Namoru me vajzën e saj 5-vjeçare, Nicole Foto: CNN

Kenia gjithashtu nuk ka statut të kufizuar në rastet që përfshijnë abuzime të pretenduara të të drejtave të njeriut. Kështu që, 17 vjet më vonë, avokati Kelvin Kubai ka mbledhur nënshkrimet e më shumë se 300 grave që më herët kanë paraqitur pretendime për përdhunim dhe është duke punuar për t’i rikthyer rastet në gjyqet e Kenias.

17-vjeçarja Marian do të jetë paditësja kryesore.

“Është traumatizuese dhe psikologjikisht shqetësuese për njerëzit si Mariani dhe shumë të tjerë që vazhdojnë të shohin britanikë që trajnohen në mesin e tyre, me të gjitha këto trauma të pazgjidhura dhe padrejtësi historike”, ka thënë Kubai, pasi është takuar me disa gra që kanë ngritur pretendimet ndaj ushtarëve britanikë. “Ne do të fitojmë sepse kemi kushtetutë shumë progresive. Sistemi kenian ligjor ofron korrigjim më të mirë sesa ai që është i disponueshëm në Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë ai.

Fëmijët e braktisur

Gratë keniane thonë se ato vazhdojnë të luftojnë për njohje edhe për fëmijët e ngjizur nga marrëdhëniet konsensuale me ushtarët britanikë.

Generica Namoru, 28-vjeçare, thotë se ajo ka nisur një lidhje konsensuale në vitin 2017 me një ushtar, ndërsa ajo ka punuar në selinë e BATUK-ut në Nanyuki.

“Ai është kthyer në Mbretërinë e Bashkuar, kur unë isha dy muaj shtatzënë. Ai është personi që ia ka zgjedhur emrin asaj kur është lindur”, ka thënë ajo.

Namoru thotë se ushtari i ka dërguar pasaportën e tij dhe informacionet e tjera personale për certifikatën e lindjes së foshnjës. Vajza e saj, Nicole, 5-vjeçare, e mban mbiemrin e tij, ka thënë Namoru, por ai kurrë nuk e ka mbështetur atë. Namoru është e papunë dhe duhet të merret me diçka për t’i përmbushur nevojat e veta dhe të Nicoles, si shitja e ujit të freskët në qytetin ku jetojnë ato.

“Jam grua me fëmijë ‘të bardhë’. Nuk është e lehtë për familjen time sidomos kur pasja e fëmijës është e shtrenjtë”, ka thënë ajo, duke treguar se Nicole nuk ka sigurim shëndetësor e as shtëpi të përkohshme. “Ajo është duke vuajtur pa arsye. Dua që ai të kujdeset për edukimin, shëndetin dhe strehimin e saj. Asgjë tjetër”.

Në ndërkohë, Kabui dhe ekipi i tij kanë nisur një fushatë për ta mbështetur Marianin, Nicolen dhe “fëmijët e tjerë të braktisur nga ushtarët e Ushtrisë Britanike në Kenia me mjete për arsimim dhe përfaqësim ligjor”.

Namoru thotë se ajo është përpjekur pa sukses t’i shtyjë qeveritë keniane dhe britanike për ta gjetur ish-të dashurin e saj dhe ta detyrojë atë për të mbajtur përgjegjësi financiare për vajzën e tij.

Komisioni i Lartë Britanik në Nairobi ka thënë se bashkëpunon me autoritetet lokale të mbështetjes së fëmijëve në pretendimet e atësisë. As Nicole e as Mariani nuk kanë shtetësi britanike edhe pse kualifikohen për të vërtetuar se baballarët e tyre janë anglezë.

“Nuk është se këta fëmijë po kërkojnë biletë falas për në Mbretërinë e Bashkuar. Vetëm po themi se ata meritojnë kujdes prindëror nga baballarët e tyre, si çdo fëmijë tjetër”, ka thënë Mutugi nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar se qeveria britanike nuk ka treguar interes në zgjidhjen e çështjes. “Këta fëmijë meritojnë shtetësi britanike. Ata janë fëmijë britanikë. Baballarët e tyre janë britanikë!”.