400kg ari

Grabitja më e madhe e arit – Policia kanadeze bën arrestime dhe lëshon disa urdhërarreste

Vjedhja e arit

Vjedhja e arit

Policia kanadeze ka bërë arrestime dhe ka lëshuar nëntë urdhërarreste lidhur me vjedhjen më të madhe të arit në historinë e vendit.

Më shumë se 6,500 shufra ari me vlerë prej 14,5 milionë dollarë janë vjedhur nga Aeroporti “Pearson” i Torontos në prill të vitit 2023, së bashku me miliona dollarë para kesh.

Policia ka thënë se grabitja e stilit të "serialeve Netflix" u ekzekutua nga një "grup i organizuar mirë kriminelësh". Hetimi është në vazhdim, raporton BBC.

Njoftimi të mërkurën nga Policia Rajonale Kanadeze “Peel” dhe Byroja e Alkoolit, Duhanit dhe Armëve të Zjarrit të SHBA-së erdhi saktësisht një vit pas grabitjes masive të arit, që thuhet se është e gjashta më e madhja në botë.

Hetimi i përbashkët njëvjeçar u quajt “Projekti 24K”. Ai ka përfshirë dhjetëra urdhra kërkimi dhe intervista.

Deri më tani, policia ka gjetur 90,000 dollarë kanadezë "ari të pastër", të modeluar në gjashtë byzylykë. Ata konfiskuan gjithashtu tenxhere shkrirjeje dhe kallëpe, si dhe 430,000 dollarë kanadezë para të gatshme që policia tha se ishin fitimet e shitjeve të arit.

Në shtator, policia e Pensilvanisë ka arrestuar një burrë kanadez ilegal në SHBA, për të cilin ata pretendojnë se ishte shoferi i bandës. Burri, i quajtur nga policia si Durante King-McClean, 25 vjeç, u ndalua në Filadelfia për një shkelje të trafikut dhe gjatë kontrollit në makinën e tij u zbuluan armë zjarri.

"Një nga ato armë zjarri kishte një numër serie të fshirë, 11 prej tyre u vodhën dhe dy prej tyre u shndërruan në plotësisht automatik”, ka thënë Eric Degree, një agjent special në Filadelfia.

Sipas policisë, ato armë ishin "të destinuara për import në Kanada". 

"Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një grabitje ari, kjo ka të bëjë me atë se si ari bëhet armë”, ka thënë Nando Iannicca, kryetar i Bordit të Shërbimeve të Policisë “Peel”.

Burri mbetet në paraburgim në SHBA për akuzën e trafikut të armëve të zjarrit.

Pesë të dyshuar të tjerë, dy prej të cilëve ishin punonjës të linjës ajrore që transportonte mallrat, u arrestuan dhe u liruan me kusht për t'u paraqitur në gjykatë më vonë. Për të tjerë në Kanada janë lëshuar tre urdhërarreste.

Vjedhja e 17 prillit 2023 ndodhi brenda një objekti mallrash, pasi mallrat mbërritën me një fluturim të Air Canada nga Cyrihu i Zvicrës. Policia pretendon se një person i paidentifikuar kishte arritur të hynte te mallrat duke treguar një faturë të rreme të rrugëve ajrore - një dokument që shoqëron artikujt e dërguar.

Një kamion pesë tonësh u përdor më pas për të vjedhur arin, që peshonte afërsisht 400 kg, ka bërë të ditur policia.

Muaj pas vjedhjes, Brink's International, një kompani sigurie me bazë në SHBA për të koordinuar dërgesën e mallrave, paditi Air Canada.

Brink's pretendonte se linja ajrore kishte qenë "e pamatur" dhe kishte dështuar në parandalimin e vjedhjes, duke mos bërë asnjë përpjekje për të verifikuar identitetin e personit që "u arratis me ngarkesën". 

Sipas padisë, malli është vjedhur 42 minuta pasi është shkarkuar nga avioni. 

“Asnjë protokoll apo veçori sigurie nuk ishte vendosur për të monitoruar, kufizuar apo rregulluar ndryshe aksesin e individit të paidentifikuar në objektet”, pohoi Brink's në padi. 

Air Canada ka hedhur poshtë çdo akuzë për sjellje "të pakujdesshme". 

Pesë të dyshuarit që u arrestuan dhe u liruan janë Parmpal Sidhu, 54 vjeç, Amit Jalota, 40, Ammad Chaudhary, 43, Ali Raza, 37 vjeç dhe Prasath Paramalingam, 35 vjeç. 

Urdhër-arrestet në mbarë Kanadanë u lëshuan për Simran Preet Panesar, 31, Archit Grover, 36 vjeç dhe Arsalan Chaudhary, 42 vjeç, të cilët janë ende të lirë.