Fillimi i gjyqit ndaj presidentit të Republikës SërpskaS, Millorad Dodik, është caktuar për 16 tetor, njoftoi të martën Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në gusht, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë kundër Dodikut dhe drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq, për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.
Aktakuza ndaj tyre u ndryshua dhe u konfirmua pastaj më 11 shtator. Avokatët e Dodikut dhe Lukiqit në kundërshtimet e tyre deklaruan se “vepra penale për të cilën akuzohet Dodiku nuk ekziston, sepse Schmidt është i paligjshëm”.
Mbrojtjes iu refuzuan dy kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Jasmine Dedoviq Qosiq, e cila ka konfirmuar aktakuzën dhe më pas ka refuzuar kundërshtimet.
Në qershor, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi ligje në lidhje me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Përfaqësuesi i Lartë Schmidt më pas vendosi t'i shfuqizojë ato.