Aktakuza pretendon se Trumpi ka mbajtur qëllimisht qindra dokumente të klasifikuara, që i ka marrë me vete nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago pas largimit nga Presidenca në janar të 2021-s. Materiali që ai ruajti, në tualet, dhomë gjumi dhe banjë, përfshinte materiale mbi programet bërthamore, aftësitë e mbrojtjes dhe armëve të Shteteve të Bashkuara dhe të qeverive të huaja dhe një "plan sulmi" të Pentagonit, thuhet në aktakuzë
(AP) - Donald Trump do të paraqitet për herë të parë në gjykatë në një çështje penale historike që akuzon ish-presidentin për mbledhjen e dokumenteve top-sekrete të Qeverisë, duke i shfaqur ato me mburrje te vizitorët dhe duke u përpjekur t'i fshehë nga hetuesit që kërkuan t'i kthenin.
Trumpi iu afrua datës së paraqitjes së tij në gjykatën në Miami me trimëri karakteristike, duke këmbëngulur siç ka bërë gjatë viteve, se ai nuk ka bërë asgjë të keqe dhe se po persekutohej për qëllime politike. Por rëndësia e momentit është e jashtëzakonshme pasi ai do të përgjigjet për 37 akuza për krime që e rëndojnë për mbajtjen me dashje të të dhënave të klasifikuara që prokurorët thonë se mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare nëse ekspozohen.
Çështja është e ngarkuar me implikime politike për Trumpin, i cili aktualisht udhëheq në ditët e para të zgjedhjeve presidenciale republikane për vitin 2024. Ajo sjell gjithashtu pasoja të thella ligjore duke pasur parasysh mundësinë e një dënimi me vite burgim. Dhe për një të pandehur, jeta e të cilit pas të qenët president ka qenë e përcjellë nga hetimet, shqyrtimi i dokumenteve ka spikatur si për vëllimin e dukshëm të provave të grumbulluara nga prokurorët ashtu edhe për ashpërsinë e akuzave.
Është gjithashtu një moment vendimtar për një Departament të Drejtësisë që deri javën e kaluar nuk kishte ngritur kurrë akuza kundër një ish-presidenti. Prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, një i emëruar i presidentit, Joe Biden, u përpoq të mbyllte departamentin nga sulmet politike duke ia dorëzuar pronësinë e çështjes vitin e kaluar një këshilltari special, Jack Smith, i cili të premten deklaroi se “ligjet vlejnë për të gjithë”.
Gjykimi, ndonëse i bujshëm në natyrë procedurale, është i fundit në një vlerësim publik të paprecedentë këtë vit për Trumpin - i cili përballet me akuza në New York për shkak të pagesave në këmbim të heshtjes të gjatë fushatës së tij presidenciale të 2016-ës - si dhe hetimeve të vazhdueshme në Washington dhe Atlanta në përpjekjet për t’i zhbërë rezultatet e garës të vitit 2020. Ai është përpjekur të ndërtojë besim duke sulmuar Smithin si “të çmendur”, duke u zotuar të qëndrojë në garë dhe duke planifikuar një fjalim dhe mbledhje fondesh për të martën mbrëma në klubin e tij të golfit në Bedminster, New Jersey.
“Ata po e përdorin këtë sepse nuk mund t'i fitojnë zgjedhjet në mënyrë të drejtë”, ka thënë Trumpi të hënën në një intervistë për Americano Media.
Thirrje për protesta
Paraqitja në gjykatë po shpaloset gjithashtu në sfondin e protestave dhe trazirave të mundshme. Disa mbështetës të profilit të lartë kanë përdorur “retorikë me gjemba” për mbështetjen e Trumpit. Vetë Trumpi ka inkurajuar mbështetësit që t'i bashkohen një proteste të planifikuar të martën te gjykata e Miamit, ku ai pritet t'u dorëzohet autoriteteve.
Disa mbështetës të Trumpit po planifikojnë gjithashtu të nisen me autobusë në Miami nga pjesë të tjera të Floridas, duke ngritur kështu shqetësime për zyrtarët e zbatimit të ligjit që po përgatiten për potencialin e trazirave rreth gjykatës. Kryebashkiaku i Miamit, Francis Suarez, ka thënë se qyteti do të jetë gati dhe shefi i Policisë, Manuel A. Morales, ka bërë të ditur se në qendër të qytetit parashikohen diku nga disa mijëra deri në 50 mijë protestues. Ai ka thënë se qyteti do të devijojë trafikun dhe ndoshta do të bllokojë rrugët në varësi të madhësisë së turmës.
Ndërsa autokolona e Trumpit ngadalësoi tek hynte në resortin e tij në Miami të hënën, një brohoritje e madhe u dëgjua nga rreth 50 mbështetës që ishin mbledhur nëpër rrugë. Ai i përshëndeti me gishtin e madh teksa kalonte ndërsa mbështetësit mbanin pankartat pro Trumpit.
Një përleshje gati shpërtheu vetëm disa minuta para mbërritjes së Trumpit, kur një burrë qëndroi përballë turmës i veshur me një kostum të mbuluar me një frazë me dy fjalë që e quanin ish-presidentin ‘një turp’. Mbështetësit e shtynë dhe disa i bërtitën para se policia e Doralit të ndërhynte dhe ta zhvendoste poshtë rrugës.
Përpjekjet për t’i fshehur dokumentet
Një juri e madhe federale në Washington kishte dëgjuar dëshminë për muaj të tërë në çështjen e dokumenteve, por Departamenti i Drejtësisë e dorëzoi atë në Florida, ku ndodhet resorti Mar-a-Lago i Trumpit dhe ku ndodhen shumë nga aktet e dyshuara të pengimit të hetimeve. Megjithëse Trumpi do të paraqitet të martën para një gjyqtari federal, çështja i është caktuar një gjyqtareje të Gjykatës së Qarkut që ai zgjodhi, Aileen Cannon, e cila vendosi në favor të tij vitin e kaluar në një mosmarrëveshje mbi emërimin e një eksperti special i jashtëm për të shqyrtuar sekuestrimin e dokumenteve të klasifikuara. Një panel federal i apelit përfundimisht e përmbysi vendimin e saj.
Është e paqartë se çfarë mbrojtjesh ka të ngjarë të përdorë Trumpi teksa çështja zhvillohet. Dy nga avokatët kryesorë të tij njoftuan dorëheqjen mëngjesin pas ngritjes së aktakuzës, ndërsa shënimet e një avokati tjetër, M. Evan Corcoran, citohen në mënyrë të përsëritur në dokumentin e akuzës prej 49 faqesh, duke sugjeruar se prokurorët mund ta shohin si një dëshmitar kyç.
Trumpi ka thënë se po kërkon të shtojë ekipin e tij ligjor edhe pse nuk u bënë njoftime të hënën. Kjo ka rëndësi sepse, sipas rregullave të distriktit, të pandehurve u kërkohet të kenë një avokat lokal për të vazhduar procesin gjyqësor.
Departamenti i Drejtësisë zbuloi të premten një lëndë që e ngarkon Trumpin me 37 akuza për krime, 31 në lidhje me mbajtjen e qëllimshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare. Akuza të tjera përfshijnë komplot për të penguar hetimet dhe dhënie të deklaratave të rreme.
Aktakuza pretendon se Trumpi ka mbajtur qëllimisht qindra dokumente të klasifikuara, që i ka marrë me vete nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago pas largimit nga presidenca në janar të 2021-ës. Materiali që ai ruajti, në tualet, dhomë gjumi dhe banjë, përfshinte përmbajtje mbi programet bërthamore, aftësitë e mbrojtjes dhe armëve të Shteteve të Bashkuara dhe të qeverive të huaja dhe një “plan sulmi” të Pentagonit, thuhet në aktakuzë. Informacioni, nëse ekspozohej, mund të kishte vënë në rrezik anëtarët e ushtrisë, burimet njerëzore konfidenciale dhe metodat e mbledhjes së inteligjencës, kanë thënë prokurorët.
Përtej kësaj, sipas prokurorëve, Trumpi u përpoq të pengonte përpjekjet e qeverisë për të rimarrë dokumentet, duke udhëzuar ndihmësin personal, Walt Nauta - i cili u akuzua së bashku me Trumpin - të zhvendoste kutitë e t'i fshehte dhe gjithashtu duke i sugjeruar avokatit që të fshihte ose shkatërronte dokumentet e kërkuara nga një fletëthirrje për paraqitje të Departamentit të Drejtësisë.
Përktheu: Forca Jashari