Botë

Gjykata ruse ua vazhdon paraburgimin katër të dyshuarve për sulmin në Moskë

Njëri nga të dyshuarit për sulmin

Njëri nga të dyshuarit për sulmin

Foto: Associated Press

Një gjykatë në Moskë ua ka zgjatur masën e paraburgimit katër të dyshuarve kryesorë për sulmin e 22 marsit në një sallë koncertesh afër kryeqytetit rus, nga i cili mbetën të vdekur 144 njerëz.

Gjykata ua ka zgjatur atyre paraburgimin deri në fund të gushtit, raporton AP.

Dhjetëra persona janë arrestuar lidhur me sulmin, përfshirë katër që dyshohen si kryes të sulmit që ka ndodhur në sallën “Crocus City”, që ndodhet pak kilometra larg Moskës.

Katër të dyshuarit kryesorë janë vënë para gjykatës në fund të marsit, nën akuzat për terrorizëm. Në paraqitjen e tyre janë vërejtur lëndime në pjesë të ndryshme të trupit, që shihet si një shenjë se ata janë goditur. Njëri prej tyre madje dukej gati si pa vetëdije gjatë qëndrimit në gjykatë. 

Gjykata pati vendosur që të katër burrat, të identifikuar si qytetarë të Taxhikistanit, të mbaheshin në paraburgim deri më 22 maj. 

Një fraksion i grupit Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për masakrën, në të cilën sulmuesit gjuanin me armë zjarri në drejtim të njerëzve të shumtë që ishin duke pritur për koncertin e një grupi të famshëm roku. Ata më pas i vunë flakën edhe ndërtesës. 

Mirëpo, zyrtarët rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, kanë deklaruar vazhdimisht se Ukraina dhe Perëndimi kishin një rol në sulm. 

Ukraina e ka mohuar përfshirjen, derisa zyrtarët e saj kanë deklaruar se Moska po i bën këto akuza si pretekst për t’i intensifikuar luftimet në Ukrainë.