Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka bërë të ditur të enjten se ka lëshuar urdhërarreste për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe komandantin e Hamasit, Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri (i njohur si Mohammed Deif), raporton agjencia "AP".
Urdhërarrest është lëshuar për Deifin, megjithëse Ushtria izraelite ka thënë se ai u vra në një sulm ajror në Gaza në korrik.
Urdhërarrest është lëshuar po ashtu edhe për ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Vendimi e kthen Netanyahun dhe të tjerët në të dyshuar të kërkuar ndërkombëtarisht dhe ka të ngjarë t'i izolojë më tej ata dhe të komplikojë përpjekjet për të negociuar një armëpushim për t'i dhënë fund konfliktit 13-mujor.
Por implikimet e tij praktike mund të jenë të kufizuara pasi Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, nuk janë anëtarë të gjykatës dhe disa nga zyrtarët e Hamasit janë vrarë më pas në konflikt, raporton BBC.
Netanyahu dhe liderë të tjerë izraelitë e kanë dënuar kërkesën e kryeprokurorit të GJNP-së, Karim Khan për urdhra, duke e quajtur të turpshme dhe antisemitike.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden gjithashtu sulmoi prokurorin dhe shprehu mbështetje për të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur kundër Hamasit. Hamasi gjithashtu e kritikoi kërkesën.
“Dhoma vlerësoi se ka arsye të arsyeshme për të besuar se të dy individët me qëllim dhe me vetëdije privuan popullatën civile në Gaza nga elementet e domosdoshme për mbijetesën e tyre, duke përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet dhe furnizimet mjekësore, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike", thuhet në vendimin e kolegjit prej tre gjyqtarësh.
Netanyahu reagon pas urdhërarrestit: S’ka asgjë më të drejtë se lufta në Gaza
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dënuar urdhërarrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale të lëshuar ndaj tij.
Ai ka thënë se Izraeli “i hedh poshtë me neveri veprimet absurde dhe të rreme”.
“Nuk ka asgjë më të drejtë se lufta që Izraeli është duke bërë në Gaza”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.