Një gjykatë izraelite të mërkurën mbështeti një ndalim 35-ditor të operimit të Al Jazeeras në Izrael, duke mbështetur kështu vendimin e qeverisë. Kjo thuhet se u bë rsye të sigurisë kombëtare dhe një ministër ka deklaruar se shpreson që ndalimi të zgjatet edhe për 45 ditë të tjera.
Autoritetet izraelite bastisën një dhomë hoteli në Jerusalem të përdorur nga Al Jazeera si zyrë e saj më 5 maj, duke e akuzuar transmetuesin për inkurajimin e armiqësive kundër Izraelit.
Al Jazeera hodhi poshtë akuzën si “gënjeshtër të rrezikshme dhe qesharake” që rrezikonte gazetarët e saj.
Vendimi i gjykatës ka miratuar një ndalim 35-ditor që do të vlejë në mënyrë retroaktive. Ndalesa bazuar në këtë vendim do të vlejë deri më 8 qershor, raporton Reuters.
Gjyqtari i Gjykatës së Qarkut të Tel Avivit, Shai Yaniv, ka thënë se atij i ishin ofruar prova, të cilat ai nuk i specifikoi, për një marrëdhënie të gjatë dhe të ngushtë midis grupit islamik palestinez Hamas dhe transmetuesit Al Jazeera të mbështetur nga Katari, duke akuzuar kanalin për promovimin e qëllimeve të Hamasit.
“Liria e shprehjes ka një rëndësi të veçantë në kohë lufte. Megjithatë, kur ka dëm të konsiderueshëm për sigurinë e shtetit, kjo e fundit është e para”, ka shkruar ai.
Sipas dokumenteve të gjykatës Al Jazeera, e cila ka kritikuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza, nga ku ka raportuar gjatë gjithë luftës, i ka thënë gjykatës se nuk ka nxitur dhunë apo terrorizëm dhe se ndalimi ishte joproporcional.
Lidhur me pretendimet për lidhje me Hamasin, kanali ka bërë të ditur se gazetarët e kishin një gamë të gjerë burimesh konfidenciale si në palën izraelite ashtu edhe në atë palestineze.
Al Jazeera ka akuzuar Izraelin për vrasjen e qëllimshme të disa gazetarëve të saj në Gaza. Izraeli pretendon se nuk synon gazetarët.
Ministri izraelit për Komunikime, të mërkurën ka deklaruar se qeveria synon të zgjasë ndalimin e operimit të kanalit edhe për 45 ditë të tjera.