Botë

Gjykata e Lartë në SHBA ua ndalon fjetjen në hapësira publike të pastrehëve

të pastrehë

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të premten ka vendosur që qytetet amerikane mund t’i dënojnë të pastrehët që flenë në hapësira publike, shkruan BBC.

Ky është vendimi më domethënës i gjykatës për të pastrehët që nga të paktën vitet 1980, kur shumë ekspertë thonë se filloi kriza moderne e të pastrehëve në SHBA.

Vendimi u lejon qeverive lokale t’i dënojnë njerëzit që flenë në vende publike pa u shqetësuar nëse do të prekin kufijtë e Kushtetutës së SHBA-së.

Gjithçka filloi kur në qytetin e vogël Grants Pass, Oregon, tre të pastrehë u dënuan pasi flenë në hapësira publike. Në një seancë dëgjimore të Gjykatës së Lartë në prill, autoritetet e qytetit argumentuan se dënimet penale ishin të nevojshme për të zbatuar ligjet lokale që ndalonin njerëzit e pastrehë të flinin në hapësirat publike për “arsye pastërtie dhe sigurie”.

Të pastrehët kanë thënë se këto dënime shkelnin Amendamentin e Tetë të Kushtetutës së SHBA-së, sepse “qyteti nuk kishte asnjë strehë publike”.

Të pastrehët janë në rritje në SHBA, e nxitur pjesërisht nga mungesa e banesave të përballueshme. Rreth 653 mijë njerëz nuk kishin shtëpi në vitin 2023, numri më i madh që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në vitin 2007.