Botë

Gjykata e lartë e Spanjës mban në fuqi urdhrat e arrestit për separatistët katalonjas pavarësisht amnistisë

Carles Puigdemont

Carles Puigdemont

Foto: Associated Press

Gjykata e Lartë e Spanjës po vazhdon t'i mbajë në fuqi urdhrat e arrestit për ish-udhëheqësin e Katalonjës dhe të tjerë të akuzuar për përvetësim, gjatë përpjekjes së dështuar për shkëputjen e rajonit, pasi vendosi se një ligj i fundit për amnisti nuk zbatohet për ta.

Vendimi mund të shkatërrojë koalicionin e brishtë të udhëhequr nga socialistët që sundon Spanjën, dhe të ketë implikime personale për ish-udhëheqësin katalonjas, Carles Puigdemont, i cili jeton në Francë në mërgim të vetë-imponuar, raporton Reuters.

Partia “Junts” e Puigdemont ka thënë se do të apelonte.

Sekretari i përgjithshëm i saj, Jordi Turull, e quajti vendimin një "vendim politik që thyen normat elementare të një demokracie" dhe akuzoi gjyqtarët për organizimin e një "grushti shteti". 

Një ligj amnistie i miratuar më 30 maj kishte për qëllim faljen e personave të përfshirë në përpjekjen e vitit 2017 për të shpallur pavarësinë e Katalonjës nga Madridi.

Gjykatësi hetues Pablo Llarena ka thënë në shkresën e tij se do të vazhdojë të kërkojë arrestimin e Puigdemont dhe ish-zëvendësve të tij Toni Comin dhe Lluis Puig.

Një tërheqje e mbështetjes nga “Junts” për projektligje të tilla si buxheti i vitit 2025 mund ta lërë Sanchezin të paaftë për të qeverisur dhe të shkaktojë zgjedhje të reja.

Amnistia nuk vlen për ata që kanë kryer përvetësim me qëllim të pasurimit personal ose nëse kjo ka prekur interesat financiare të Bashkimit Evropian.

Llarena argumentoi se sjellja e pretenduar e Puigdemont, Comin dhe Puig "përputhet plotësisht me dy përjashtimet e parashikuara në ligj". Ai ka shtuar se ata patën përfitime personale duke ngarkuar shpenzimet e mbajtjes së një referendumi për pavarësinë, të cilësuar si të paligjshëm nga gjyqësori spanjoll.

Të tre thonë se referendumi nuk ishte i paligjshëm dhe kështu akuzat e lidhura me të nuk kanë asnjë bazë.

Vendimi është një goditje për Puigdemont, i cili ishte shfaqur optimist se amnistia do të pastronte plotësisht të gjitha akuzat me të cilat u përball në Spanjë, duke e lejuar atë të kthehej pa frikën e arrestimit.

Pavarësisht vendimit të gjykatës, Puigdemont është ende i përkushtuar për t'u kthyer në Spanjë ditën që parlamenti katalanas zgjedh liderin e ri të rajonit, pas zgjedhjeve jopërfundimtare në maj.

LEXO EDHE: