Gjykata e Apelit në Paris ka njoftuar të martën se tri apelime janë paraqitur deri më tani në rastin ndaj udhëheqëses së partisë së ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar”, Marine Le Pen, të cilës i është ndaluar kandidimi për poste publike për pesë vjetët e ardhshëm.
Le Pen e cila është shpallur të hënën nga një gjykatë në Paris, fajtore për përvetësim të fondeve të BE-së për financimin e partisë së saj, synonte rikandidimin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Sondazhet e paraqisnin Le Penin si favorite për t’i fituar zgjedhjet.
Gjykata e apelit ka thënë në një deklaratë të martën se do të lëshonte një vendim mbi apelimet në verën e vitit 2026, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Le Pen dhe tetë zyrtarë të tjerë të partisë “Tubimi Kombëtar” janë shpallur fajtorë nga një gjykatë më e ulët. Ajo ka vendosur një ndalim të menjëhershëm pesë-vjeçar për Le Penin për të kandiduar për postin, duke e ndaluar atë që të kandidojë në vitin 2027, përveç nëse ajo mund të shfuqizojë vendimin në apel para asaj kohe.
Mbështetësit e Le Penit brenda dhe jashtë vendit e kanë quajtur pushtetin të njëanshëm dhe jodemokratik dhe presidenti i partisë, Jordan Bardella, u ka bërë thirrje francezëve të protestojnë këtë fundjavë kundër vendimit.
“Francezët duhet të indinjohen dhe unë u them atyre: Jini të indinjuar!”, ka thënë Bardella për disa media franceze.
Le Pen ndërkaq, u ka thënë ligjvënësve të “Tubimit Kombëtar” se ajo e konsideron vendimin një "bombë bërthamore" të lëshuar nga institucioni kundër saj.
Kryeministri i qendrës së djathtë, Francois Bayrou, i ka thënë parlamentit se ai mbështet vendimin, por gjithashtu se kishte pyetje mbi ndalimin e Le Penit për të kandiduar në zgjedhje.